Vijon të rritet bilanci i viktimave në Kinë të prekur nga coronavirus.
Rreth 132 persona kanë humbur jetën, ndërsa rastet e të infektuarve arrijnë në mijëra.
Përhapja e virusit tashmë ka prekur edhe Europën me tetë të prekur, katër në Francë dhe katër në Gjermani. Duke u shtrirë më tej edhe në SHBA, Kanada e shtete të tjera aziatike.
Përballë frikës, autoritetet kanë vendosur që qindra europianë, të cilët jetojnë në qytetin ku nisi të përhapet virusi, do të riatdhesohen.
Dy avionë janë dërguar në Kinë për të evakuuar shtetas francezë dhe europianë nga Wuhan, kryeqendra e virusit e ndodhur tashmë në karantinë.
Avioni i parë do të deportojë 250 shtetas francez dhe më shumë se 100 shtetas europianë do të riatdhesohen me një avion të dytë. Edhe SHBA ka kërkuar të riatdhesojë shtetasit e saj duke i bërë presion Pekinit të shtojë kontrollet në të kundërt do të pezullojë fluturimet drejt këtij vendi.
Nga ana tjetër Australia planifikon të vendosë në karantinë për dy javë 600 qytetarët e saj të kthyer.
Ata do të vendosen në ishullin e Krishtlindjes – rreth 2.000 km në distancë nga kontinenti.
I quajtur si “2019-nCoV”, coronavirusi ka shkaktuar alarm në të gjithë botën sepse po përhapet me ritme të shpejta dhe ende ka shumë të panjohura rreth tij por kërkimet vijojnë.
Një ekip shkencëtarësh në Australi thanë se ata kishin zhvilluar një version laboratorik të coronavirusit, i pari që u rikrijua jashtë Kinës, me shpresën që mund të ndihmojnë në luftimin e përhapjes globale të sëmundjes.
Edhe në Seattle, studiuesit janë duke punuar me zhvillimin e një testi diagnostikues për të cilin shpresojnë se do të jenë në gjendje të zbulojnë se çfarë po ndodh dhe si mund të ndalet përhapja e virusit ditë po merr jetë njerëzish çdo ditë.