E diela e sotme është festë për besimtarët bektashinj të cilet kremtojnë Sulltan Nevruzin. Ndryshe nga vitet e shkuara, sot nuk do të zhvillohen ritualet tradicionale për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.
Kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj përmes nje letre dërguar klerit bektashi ka kërkuar anulimin e ritualeve pranë teqeve dhe zhvillimin e tyre në ambientet familjare pasi grumbullimi masiv mund të shkaktojë përhapjen e coronavirust.
Në letër theksohet se: “është lutur çdoklerik, të kryej ritet betashiane të kësaj dite në vetmi të plotë, sikundër çdo besimtar, të falet, të lutet e të meditojë në shtëpinë e vet, duke shmangur çdo grumbullim në këto ditë tragjedije botërore“.
Urdhri i kryegjyshit botëror vjen në një linjë me përfaqesues të besimit islam dhe të krishterë, të cilët kanë vendosur anulimin e faljeve dhe lutjeve për të shmangur grumbullimin masiv të qytetarëve dhe perhapjen e COVID-19.