Frika që corovavirusi ka shkaktuar në Itali vijon të jetë e madhe. Ditën e djeshme u lajmërua se disa nga ndeshjet e javës së 25 të kampionatit italian do të shtyheshin për shkak të situatës emergjente. Situata e vështirë nuk ka kaluar akoma, përkundrazi e gjithë Italia vijon të jetë në gatishmëri për çdo rast.
Këtë fundjavë luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme të Serisë A ajo mes Juventusit dhe Interit. Mediat italiane shkruajnë se hipoteza e shtyrjes së kësaj super sfide për momentin ka rënë por ekziston mundësia që të luhet pa praninë e tifozëve.
Deri tani nuk ka asgjë zyrtare por frika vijon të jetë prezentë edhe në prag të takimit mes Napolit dhe Barcelonës e vlefshme për ligën e kampionëve e parashikuar të luhet ditën e nesërme. Edhe kjo sfidë rrezikon të luhet pa praninë e spektatorëve por për të konfirmuar diçka të tillë duhet pritur vendimi i UEFA-s.
Gjithashtu në pikëpyetje është edhe ndeshja e Europa League mes Interit dhe Ludogoresit që është programuar të luhet të enjten në Milano. Sipas mediave Italiane ky takim do zhvillohet sipas kalendarit por pa praninë e tifozëve.