Kreu i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti u ka bërë thirrje institucioneve që të ndalojnë tubimet e mëdha publike si masë parandaluese për coronavirusin. Duke nënvizuar faktin se tashmë janë identifikuar raste në të gjitha vendet e rajonit, përveç Shqipërisë, z. Ahmeti thotë se me gjasa mund të ketë raste dhe në Kosovë, por që nuk janë identifikuar ende.
“Tashmë është e konfirmuar që gati çdo shtet i regjionit ka raste të konfirmuara të Corona virusit. Kjo do të thotë se gjasat janë shumë të mëdha që edhe në Kosovë të ketë raste edhe pse natyrisht jo të konfirmuara. Përderisa i përgëzoj institucionet për vigjilencën deri tani, tanimë po i shohim reagimet e krejt shteteve tjera që po reagojnë në ndalimin e përhapjes disa ditë pasi që po konfirmohen shumë raste. Mirë do të ishte që si Kosovë që nga tani t’i suspendojmë tubimet e mëdha publike si parandalim e jo më vonë si reaksion”, shprehet kreu i komunës së Prishtinës.
Kosova dhe Shqipëria mbetet të vetmet vende në Ballkan që nuk kanë konfirmuar ende raste me coronavirus. Vendi më i fundit që është prehur nga virusi vdekjeprurës është Serbia.