Pandemia e coronavirusit ka prekur ndjeshëm dhe zonën Shengen të Bashkimit Evropian, ku 13 shtete kanë vendosur kontrolle në pikat e tyre kufitare.
“Nuk po flasim për ndalim të plotë udhëtimesh, në kuptimin që ne po kufizojmë hyrjen për udhëtimet e panevojshme. Nuk po flasim për mosautorizim të plotë të udhëtimeve në BE, por që udhëtimet e panevojshme nuk janë të autorizuara. Pra ka një dallim që duhet theksuar,” tha Adalbert Jahnz, zëdhënës i Komisionit Evropian:
“Në lidhje me kufinjtë e brendshëm, situata për momenti është që kemi marë njoftime nga Austria, Hungaria, Çekia, Danimarka, Finlanda, Polonia, Lituania, Gjermania, Estonia, Portugalia dhe Spanja. Ndërsa në lidhje me vendet e asociuara me Shengenin, nga Zvicra dhe Norvegjia,” shtoi ai.
Udhëheqësit e BE-së kanë rënë dakord që të mos lejojnë hyrjen e personave të huaj në BE për 30 ditë, ndërkohë që disa nga vendet kanë mbyllur çdo veprimtari në publik për të mos lejuar përhapjen e virusit.
Zona e Shengenit përfshin territoret e 26 vendeve evropiane dhe funksionon si një shtet i vetëm për qëllime të udhëtimit ndërkombëtar me kontrollet kufitare për udhëtarët që udhëtojnë brenda dhe jashtë zonës, por pa kontrolle të brendshme mes shteteve përbërëse.
Tani janë më shumë se 200 mijë raste personash të infektuar me coronavirus në të gjithë botën, dhe më shumë se 8000 kanë humbur jetën.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se kanë pasur mbështetje për masat e marra, ndërkohë që Europa është kthyer tani në qendrën botërore të virusit.
Italia është vendi i dytë pas Kinës për numrin më të madh të vdekjeve, gati një të tretën e gjithë vdekjeve në botë që janë shkaktuar nga COVID-19.
Një nga arsyet që ka ndihmuar për situatën është se Italia renditet e dyta në botë për popullsinë e plakur, menjëherë pas Japonisë.
Franca dhe Spanja po ashtu kanë pasur një numër të madh infektimesh dhe vdekjesh, dhe të dyja kanë nisur të marrin masa duke bllokuar qarkullimin e njerëzve dhe të makinave.
Mbretëria e Bashkuar, e cila pa 400 të infektuar brenda 24 orësh, u bëri thirrje britanikëve të largohen nga lokalet, klubet e restorantet, por gjithsesi, nuk i kanë mbyllur. Madje, as shkollat dhe veprimtari të tjera.
Qeveria britanike, ndërkohë, ka caktuar 360 miliardë euro në kredi për bizneset vendase, për t’i mbrojtur nga pandemia.