Qeveria shqiptare intensifikon masat pas përhapjes së shpejtë të COVID-19. Kryeministri Edi Rama pak më parë ka njoftuar se do të vendosen në shërbim të shëndetësisë të gjitha strukturat spitalore, hoteliere, ambulatore, autoambulancat dhe personeli dhe stafi përkatës mjekësor.
Shefi i qeverisë shqiptare flet me gjuhën e ligjit, ndërsa paralajmëron se kushdo që nuk zbaton urdhrin gjobitet deri në 5 milionë lekë, si dhe do të vihet forcërisht në shërbim të shëndetësisë për t’u përballur me virusin vdekjeprurës COVID-19.
Ky akt sipas kryeminsitrit ka hyrë në fuqi dhe ka forcën e ligjit deri në përfundimin e “luftës”.
Mesazhi i Ramës:
Akti normativ hyri në fuqi dhe nga sot ka forcën e ligjit deri në përfundimin e luftës ndër të tjera: në varësi të dinamikës së spitalizimit të të prekurve nga covid-19, me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, vendosen në dispozicion edhe strukturat private spitalore, ambulatore, hoteliere, autoambulancat dhe personeli përkatës, shëndetësor e mbështetës.
Moszbatimi i këtij urdhëri dënohet me gjobë në masën 5 000 000 (5 milionë) lekë. në rast mosbindjeje pas vendosjes së gjobës, struktura përkatëse vendoset forcërisht në dispozicion të shërbimit publik shëndetësor dhe personeli përkatës është i detyruar të shërbejë nën drejtimin shtetëror të strukturës gjatë gjithë kohëzgjatjes së infeksionit.