Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha i është drejtuar mëngjesin e sotëm me një tjetër thirrje qeverisë, ndërsa i kërkon të shtojë pajisjet spitalore dhe të rrisë kapacitetet e ambienteve spitalore për të përballuar numrin e të infektuarve.
Me një shënim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, kryedemokrati pohon se mosmarrja e këtyre masave dhe përhapja e shpejtë e COVID-19 do na kushtojë shumë.
“Çdo neglizhencë në marrjen e masave të menjëhershme për shtimin e pajisjeve dhe rritjen e kapaciteve të ambjenteve spitalore dedikuar trajtimit të personave me COVID 19 mund të na kushtojë shumë”, thekson Basha.
Sipas kreut të opozitës në këtë situatë tepër të vështirë transparenca është mjet i duhur për t’u përballur me përhapjen e pandemisë globale. Mes tjerash, lideri i selisë blu beson se kjo gjendje e rënduar ka nevojë për masa konkrete dhe jo për propagandë.
“Transparenca mbetet element i rëndësishëm për t’u përballur me këtë situatë të pazakontë. Është e qartë për të gjithë tashmë se kjo situatë përballohet me veprime konkrete dhe hapa të vendosur dhe jo me propagandë”, shkruan Basha.
Gjithashtu, zoti Basha kërkon më urgjencë që qeveria të sigurojë një numër të lartë tamponësh dhe të indetifikojë pa humbur kohë personat e infektuar nga Coronavirusi.
“Shumë qytetarë kanë shprehur shqetësim mbi mungesën e tamponeve të testit për COVID 19.Është urgjente dhe e rëndësishme blerja e menjëhershme e një sasie të mjaftueshme tamponësh me të cilët kryhen testet që saktësojnë nëse je apo jo bartës i COVID 19. Sa më shpejt të identifikohen të prekurit, aq më shpejt mundësohet izolimi dhe trajtimi i tyre duke minimizuar përhapjen e mëtejshme të virusit. Çdo vonesë në sigurimin e një numri më të madh tamponësh testimi do të na kushtojë shumë”, thuhet në mesazhin e Bashës.