Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se një pacient i shtruar prej 20 ditësh në spitalin e infektivit ka ndërruar jetë ditën e sotme.
61-vjeçari ishte në gjendje të rëndë, dhe i intubuar. Më herët ai kishte pësuar vdekje klinike dhe prej disa ditësh gjendja e tij ishte rënduar më shumë.
Ministria e Shëndetësisë thotë se pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv në terapinë intensive, 61-vjeçari që vuante nga hipertensioni, nuk ia ka dalë të mbijetojë dhe i shprehin ngushëllimet familjes së të ndjerit.
Në njoftimin e tyre Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social duke përsëritur se është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.
Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë identifikuar 28 raste të reja me COVID-19, mes të cilëve edhe një fëmijë. Numri total i të prekurve deri më tani është në 361 persona. Ndërkohë, 21 persona kanë humbur jertën dhe 104 kanë mundur të shërohen nga virusi.