Edhe pse ende nuk është shënuar zyrtarisht asnjë rast me koronavirus në Kosovë, në dy ditët e fundit qytetarët janë në panik për furnizim me mallra bazike nëpër supermarkete dhe farmaci. Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku për KosovaPress ka pranuar se ka ngritje të çmimeve dhe mungesë të mallrave. Ai shpreson se Qeveria do të reagojë konform vendimit që të gjobiten ato biznese.
“Ngritje ka, nevoja ose mungesa artificiale ka, mendoj se nuk janë ende rrethanat për furnizime kaq të mëdha, por ja që edhe ata me pa dëshirë për t”u furnizuar detyrohen të furnizohen prej frikës s”e mos po zbrazen marketet”, është shprehur z. Kaçaniku.
Ai kërkoi nga qytetarët të lajmërojnë për ngritjen e çmimeve dhe t”i bojkotojnë të gjithë prodhuesit dhe tregtarët të cilet kanë vepruar në mënyrë të tillë. Ndërsa, konsumatori Ismet Kojçiqi thotë se në një supermarket në Prishtinë ka hasur në mungesë të miellit dhe ngritje të çmimeve për disa produkte ushqimore.
“Pak po, janë diktuar pak. Por, unë kisha bërë një apel te populli, që mos të ngarendin. Duke e parë rrethin tonë, popullin tonë shqiptar të mjerë, se mos me qenë të mjerë nuk e bëjmë këtë. Ishte dashur me një ngadalësim të bëhet furnizimi”, thotë qytetari.
“Miell nuk kishte për momentin këtu, unë isha i fundit që bleva miell. Kontaktova unë me një punëtor këtu, tha se “kanë filluar t”i rrisin çmimet, por prapë i zbritën. Me gjasë ka ndërhyrë dikush. Nuk është fajtor marketi, por vetë ne që grumbullojmë rezerva pa nevojë”, shpjegon ai.
Edhe Ali Kërçeli konsumator, kishte dalur për t”u furnizuar me miell, për shkak të panikut, siç tha ai, të shkaktuar në botë dhe vend për koronavirus, por ai shprehet se në dyqante nuk kishte rritje të çmimeve dhe se furinizimet mungon në fillim, por tashmë janë plotësuar. Ai thotë se ky panik që shfaqet te qytetarët e kosovës është sot në çdo qytetar të botës.
Menaxherët e supermarketëve ndërkohë kanë thënë se ka mallra të mjaftueshme.Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka paralajmëruar mbylljen e bizneseve dhe burg për ato biznese që shtrenjtojnë pa arsye çmimet e artikujve ushqimorë.