Presidenti i Parlamentit Evropian z. David Maria Sassoli gjatë vizitës së tij në Tiranë ka takuar fillimisht kryeministrin Edi Rama ku në fokus të bisedimeve ishte integrimi evropian si dhe çështjet e sigurisë dhe të sistemit bankar.
Më pas Sassoli ka vizituar Kryetarin e Kuvendit z. Gramoz Ruci teksa të dy kanë ri-theksuar të ardhmen Evropiane të Shqipërisë.
Më tej, gjatë takimit me Presidentin e Republikës, z. Ilir Meta u theksua rëndësia që kanë sundimi i ligjit dhe dialogu gjithëpërfshirës në zbatimin e prioriteteve që lidhen me çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE, si dhe për arritjen e standardeve europiane të një demokracie parlamentare.
Sot, Presidenti i Parlamentit Evropian z. David Sassoli do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike z. Lulzim Basha dhe kryetaren Lëvizjes Socialiste për Integrim znj. Monika Kryemadhi.
Ditën e djeshme Sassoli në fjalimin përshëndetës të mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, tha se shpresonte që negociatat me Shqipërinë të hapeshin përpara mbajtjes së Samitit të Zagrebit. Z. Sassoli theksoi se shumica dërrmuese e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ishin dakord që kjo gjë të ndodhte që para vitit të kaluar, por vetëm dy vende nga 27 votuan kundër.
Por, z. Sassoli nënvizoi se pavarësisht se kjo gjë u përjetua si “zhgënjim” për Shqipërinë në fakt nuk ishte një “jo” për çeljen e negociatave por vetëm një shtyrje afati.
Presidenti i PE-së përshëndeti dhe miratimin e ligjit anti-KÇK që synon të godasë burimet financiare të grupeve të organizuara kriminale. Z. Sassoli tha se kjo reformë mbart frymë italiane dhe evropiane për luftën kundër mafies.
Në fund, z. Sassoli bërë një parashikim se kur mund të hapen negociatat me Shqipërinë, duke thënë se në rastin më të keq kjo pritet të ndodhi në Samitin e Zagrebit, që do të mbahet në muajit maj të këtij viti.