Në ditën e dytë të mbledhjes në Tiranë, Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri nuk arriti ta miratonte rezolutën e përbashkët, për shkak të votës kundër nga opozita.
Deputetët e Partisë Demokratike dolën kundër këtij dokumenti me arsyetimin se në të nuk ishin përfshirë propozimet dhe rekomandimet që opozita kishte bërë.
“Faleminderit shumë. E kemi publik dhe me votë, mbështetjen ndaj procesit të integrimit, por nuk mund të votojmë pro një rezolute ku nuk pasqyrohet asnjë prej amendamenteve të opozitës, që në këndvështrimin tonë japin pasqyrë reale të situatës në vend. Në këtë kuptim, detyrohemi të votojmë kundër, por nuk do të thotë se nuk mbështesim procesin e integrimit. Por rezoluta e përbashkët, nëse do të jetë, duhej të pasqyronte në atë tekst shqetësimet e opozitës,” tha Bardhi.
Deputetët demokrat i qëndruan votës kundër edhe pas insistimit të eurodeputetëve, të cilët paralajmëruan se kjo gjë mund të ndikonte në ecurinë e negociatave me BE.
Ndërkohë që eurodeputeti italian u shpreh: “Dua t’ju them kolegëve shqiptarë që ne kemi patur një shkëmbim të dobishëm me ju dhe kemi parë që ka dallime në mendime. Nëse votoni kundër dhe rezoluta nuk miratohet, do të çonte mesazh negativ. A mund t’ju kërkoj ju lutem të bëni abstenim? Kjo do të tregonte se ka dallime të ndryshme.”
Kjo votë kundër u parapri nga diskutime, dhe në disa momente debate mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës, që edhe në këtë tryezë shfaqën qëndrimet tërësisht antagoniste që kanë pasur në muajt e fundit në Parlamentin shqiptar.
Në këtë tryezë, deputetët demokrat sollën edhe ankesat për procedimet e qytetarëve që mbrëmë dolën në protestë në 6 pika të ndryshme të vendit.
“I dëgjova me interes përfaqësuesit e PE. Do të doja që kjo thirrje të ishte dhe për mazhorancën për amendamentet tona. Mund të kishim gjetur dakordësi, por ajo jepet nga ata që menaxhojnë pushtetin. Vota jonë vjen si rezultat i hedhjes poshtë të amendamenteve të opozitës nga mazhoranca,” tha Tabaku.