Dëbimi nga Shqipëria i mësuesit turk, Harun Çelik i cili dyshohet të jetë pjesë e lëvizjes së Fetullah Gylen, ka ngjallur debate për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Euronews Albania ka mësuar se Harun Çelik nuk u ndalua i vetëm nga autoritetet shqiptare. Në tentativën për të kaluar në aeroportin e Rinasit me dokumente të falsifikuara, ai shoqërohej nga një tjetër bashkëkombës.
Bëhet fjalë për shtetasin Selami Simsek, fotoja e të cilit është siguruar ekskluzivisht nga Euronews Albania.
Edhe në pasaportën e tij efektivët e policisë kufitare konstatuan një vizë kanadeze të falsifikuar. 39- vjeçari i cili gjithashtu dyshohet si pjesë e lëvizjes “Gylen” do të dalë para Gjykatës së Tiranës në datën 13 janar.
Ndërkohë, përmes një shkrese avokatët shqiptarë të Harun Çelik, i cili u dëbua drejt Turqisë më 1 janar, i kanë kërkuar policisë dhe Ministrisë së Brendshme informacione në lidhje me praktikën e ndjekur në rastin e klientit të tyre.
Mbrojtësit ligjor të 42-vjeçarit pretendojnë se klientit të tyre i është mohuar e drejta për ta dërguar në qendrën e azilkërkuesve pas përfundimit të dënimit me 5 muaj burg për falsifikim të dokumenteve.
Babai i tre fëmijëve, sipas avokatëve, ditën që është arrestuar në aeroportin e Rinasit me një vizë kanadeze false ne pasaportën e tij, i ka thënë policisë së përndiqej nga shtetit turk për shkak se ishte pjesë e lëvizjes “Gylen”.
Më datë 1 janar, Çelik përfundoi dënimin dhe u dëbua drejt vendit të origjinës. Ky, sipas avokatëve, ka qenë veprimi i kundërligjshëm pasi ai duhej dërguar në qendrën e azilkërkuesve.
Sipas tyre, pas kësaj turku do të vendoste nëse do të kërkonte azil në vendin tonë. Por nga ana tjetër, burime nga policia sqarojnë se kjo është një praktikë që ndiqet në raste të tilla dhe për Çelik nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore për ta larguar në Shqipëria.
Mediat turke mbulojnë gjerësisht dëbimin e Harun Çelik nga Shqipëria
CNN – Mbështetës i Gulenit , Harun Celik, ekstradohet nga Shqipëria në Turqi.
TRT – I ekstraduar nga trupat e MIT, arrestohet mbështetësi i Fetullah Gulen, Harun Çelik
A Haber – Mbështetësi i Fetullah Gulen ekstradohet nga Shqipëria
Këto janë disa nga titujt kryesorë të medieve më të rëndësishme turke në ditën e ekstradimit të Harun Çelik, mësuesit turk që gjendej i burgosur prej 5 muajsh në Shqipëri.
Televizioni zyrtar turk TRT, por edhe Ana Haber, një tjetër media e fuqishme në vend, u fokusuan më shumë në thirrjet që miqtë i drejtuan mësuesit turk ndërkohë që po përshkonte rrugën drejt avionit që do ta kthente në destinacionin e padëshiruar për Çelik, Turqinë.
Shumë medie theksuan faktin se deri tani, 41 shtete kanë marrëveshje me Turqinë dhe kanë ekstraduar të akuzuarit për terrorizëm.
Harun Çelik është dërguar në dhomat e paraburgimit në Stamboll dhe është në pritje të gjykimit të tij, i akuzuar për terrorizëm. Nëpërmjet një lidhjeje telefonike me motrën e Harun Çelik, Euroneës Albania mësoi se familjarët nuk kanë mundur ta takojnë dhe se nuk kanë dijeni për gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike.
Familja bën të ditur që ende s’kanë qenë në gjendje ta takojnë dhe nuk janë në dijeni të gjendjes së tij emocionale dhe fizike.
Avokati i Popullit: Po hetojmë dëbimin e menjëhershëm të turkut. Policia shqiptare nuk e ka shkelur ligjin
Në një lidhje live me emisionin Ilva Now në Euronews Albania, Avokati i Popullit, znj. Erinda Ballanca tha se dëbimi i shtetasit turk nga policia shqiptare është një masë administrative që e parashikon legjislacioni shqiptar kur personat hyjnë në mënyrë të jashtëligjshme në territorin shqiptar.
Znj. Ballanca sqaroi se në rastin e mësuesit turk nuk bëhet fjalë për procedura ekstradimi, por dëbimi dhe në këtë pikë policia shqiptare nuk ka bërë asnjë shkelje. Ajo shtoi se nga ana e institucionit të Avokatit të Popullit do të vijojë hetimi lidhur me urgjencën me të cilën shtetasi turk u dëbua nga Shqipëria.
“Ka pasur përpjekje të personit për të kaluar ilegalisht në vende të tjera duke shfrytëzuar Shqipërinë, konkretisht për në Kanada me një vizë të falsifikuar. Duhet parë nëse ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar. gjë që nuk na rezulton deri tani. Nga hetimi i parë rezultojnë disa problematika për të cilat do kërkojmë informacion të mëtejshëm. Duket se në rastin e shtetasit Harun Çelik ka një procedurë të shpejtuar, të menjëhershme që duhet hetuar”, – tha znj. Ballanca.