Në Shqipëri prej rreth tre vitesh po zbatohet dekriminalizimi, një ligj që u vendos për të pastruar klasën politike shqiptare, duke i larguar të zgjedhurit dhe zyrtarët me të kaluar të dyshimtë apo kriminale.
Por, ky ligj është peng i një akti nënligjor, i cili mund të bllokojë shtrirjen e zbatimit për zyrtarët apo deputetët me të kaluar të dyshimtë në disa shtete që janë jashtë Bashkimit Evropian.
Ky është konstatimi i nxjerrë nga ana e Institutit të Studimeve Politike, i cili mes të tjerash monitoron edhe procesin e zbatimit të këtij ligji.
Sipas këtij Instituti, që prej marsit 2016 Kuvendi po dështon që të përcaktojë me vendim listën e shteteve jashtë BE-së që përfshihen në objektin e veprimit të ligjit të dekriminalizimit.
Si pasojë e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit janë rreth 350 politikanë dhe zyrtarë që janë prekur dhe janë larguar nga ushtrimi i detyrës.
Kanë qenë në hetim 12 deputetë, ndërsa 6 janë larguar dhe 3 kanë dhënë dorëheqjen. Largime ka pasur edhe nga radhët e kryebashkiakëve, nga të cilët një është shkarkuar, ndërsa 3 të tjerë janë nën hetim.