Delegacioni i Komisionit të Venecias vjen sot në Tiranë për të diskutuar në lidhje me ligjin për mediat. Ky komision u vu në lëvizje nga Këshilli i Evropës pas kërkesës drejtuar qeverisë shqiptare për ta rishikuar këtë ligj.
Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë takime me Presidentin e vendit Ilir Meta, kryetarin e Parlamentit, Gramoz Ruçi, kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Qëllimi i kësaj vizite është marrja e mendimit nga ana e aktorëve kryesorë në Shqipëri në lidhje me këtë ligj për të cilin Venecia do të duhet të shprehet në seancën plenare të datës 20 mars.
Një tjetër delegacion do të vijë në Tiranë në datat 13 dhe 14 shkurt, këtë herë pas kërkesës së Kuvendit, për të shqyrtuar ligjin për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese pas përplasjes mes Presidentit dhe Parlamentit. Edhe kjo çështje do të shqyrtohet në 20 mars në seancën plenare të Komisionit te Venecias.
Zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka krijuar përplasje të forta e të vazhdueshme mes institucionit të Presidencës dhe qeverisë shqiptare. Presidenti i vendit, Ilir Meta ka etiketuar vazhdimisht qeverinë shqiptare, e cila sipas tij, me ndihmën e kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi po tenton të kapë politikisht edhe institucionin e Gjykatës Kushtetuese.
Delegacioni i Komisionit të Venecias pritet të mbledhë fakte mbi ligjin e mediave audiovizive, i cili është miratuar vitin që shkoi në Parlament, ndërsa u kundërshtua nga shoqatat e mediave si dhe nga shoqëria civile.