Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja denoncon si ‘shpenzime luksi’ një tender të Ministrisë së Jashtme ku parashikohet blerja e sigurimit të shëndetin për punonjësit.
Sipas dokumenteve, ky siguracion do vlejë për 335 persona, diplomatët dhe familjarët e tyre.
Gështenja thotë se “qeveria do shpenzojë 926 mijë euro vetëm për të paguar siguracione udhëtimi për punonjësit e ministrisë së Jashtme deri në fund të këtij viti”.
“Kjo procedurë luksi bëhet në një kohë kur nevoja për ato para është kaq e madhe për të mbuluar gropat e krizës. Por për qeverinë Rama dhe ministren Xhaçka, harxhimi i këtyre para vlen më shumë se familjet në nevojë”, shprehet ai.
Sipas deputetit të PD, “qeveria do harxhojë 2800 euro për çdo diplomat shqiptar dhe familjarët e tyre për udhëtime imagjinare”.
“Vlera e këtij tenderi është edhe më e madhe se kostoja e vetë udhëtimit të diplomatëve shqiptare”, shprehet Gështenja.
Ministria e Jashtme në një reagim mbi pretendimet e deputetit të PD thotë se bëhet fjalë për “mbulimin me sigurime shëndetësore, të shëndetit në udhëtim dhe të jetës së diplomatëve”.
“Mbulimi i sigurimeve shëndetësore, të shëndetit në udhëtim dhe jetës të diplomatëve kur ata shërbejnë jashtë vendit apo udhëtojnë për arsye pune, është një detyrim ligjor”, thuhet në reagim.