Sot në orën 19 ora e kryeqytetit do “ndalojë”. Sytë do jenë nga “Air Albania Stadium” aty ku luhet një nga ndeshjet më spektakolare të futbollit shqiptar Tirana-Partizani.
Një ndeshje që i gjen skuadrat në pozita të ndryshme. Bardheblutë vijnë me një ecuri fantastike me 9 fitore dhe 1 barazim në 10 ndeshjet e fundit dhe mbajnë kreun e klasifikimit ndërsa partizani nuk po arrin të tregojë vazhdimësi.
Ecuria dhe statistikat e ndeshjeve të fundit favorizojnë Tiranën, por në një ndeshje derbi vetëm favoritë nuk ka. Presioni është madh, të gjithë e dinë se për 90 minuta klasifikimi do kalojë në plan të dytë pasi nuk do të luhet vetëm për tre pikë por për krenarinë e një qyteti të tërë.
Në kampin e kuq Trashi është mungesë e sigurt ndërsa tek bardhe blutë Torrasa është akoma në pikëpyetje.
Për këtë sfidë ka pasur një interes të jashtëzakonshëm nga tifozët, të paktën deri tani raportohen se janë shitur rreth 17 mijë biletë, një tregues I qartë se Më Air Albania pritet të jetë një përballje mjaft elektrizuese.