Dhuna që ushtrohet ndaj fëmijëve është në shifra alarmante. Të dhënat globale të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë flasin për mbi 1 miliard fëmijë të moshës 2-17 vjeç të cilët përjetojnë të paktën një formë dhune. Rreth 3 në 5 fëmijë ndëshkohen rregullisht fizikisht në shtëpi. Ndërkohë që 1 në 5 vajza dhe 1 në 7 djem përjetojnë dhunë seksuale.
Kjo situatë ka bërë që më shumë se 100 qeveri të mblidhen në të parën konferencë ministrore me qëllim angazhimin për t’i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve, përfshirë edhe asaj brenda shtëpisë.
Më shumë se gjysma e fëmijëve në botë përjetojnë një formë dhune, përfshirë keqtrajtimin, ndëshkimin trupor, ngacmimin, abuzimin fizik ose emocional, si dhe dhunën seksuale. Dhuna ndaj fëmijëve shpesh ndodh prapa dyerve të mbyllura dhe mbetet e paregjistruar. OBSH vlerëson se më pak se gjysma e fëmijëve të prekur tregojnë se kanë përjetuar dhunë dhe më pak se 10% marrin ndihmë.
Dhuna ndaj fëmijëve është një shkelje e rëndë e të drejtave të tyre dhe rrit rrezikun e problemeve të shëndetit afatshkurtër dhe afatgjatë. Për disa fëmijë, dhuna çon në vdekje ose lëndime të rënda. Çdo 13 minuta, një fëmijë ose adoleshent vdes si pasojë e vrasjes – duke rezultuar në rreth 40,000 vdekje të parandalueshme çdo vit. Për të tjerët, dhuna sjell pasoja të rënda dhe afatgjata, si ankthi, depresioni, sjelljet e rrezikshme si përdorimi i substancave dhe ulja e arritjeve akademike.
LEXONI GJITHASHTU:
- OBSH shpall tuberkulozin sëmundjen infektive më vdekjeprurëse në botë
- Diagnoza e gabuar, OBSH: 1 në 10 persona viktimë e kujdesit të pasigurt shëndetësor