Pas procedurës me shkrim nga ambasadorët e BE-së një ditë më parë, Këshilli i punëve të jashtme miratoi sot zyrtarisht emërimin e Miroslav Lajçak si Përfaqësuesi i Veçantë i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Detyrat e Përfaqësuesit të veçantë të BE-së do të jenë të arrijë një normalizim gjithëpërfshirës të mardhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, të përmirësojë mardhëniet e mira fqinjësore dhe pajtimin mes partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës, dhe të kontribuojë për konsistencën dhe efektivitetin e Veprimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor,” thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të BE-së.
Pas Përfaqësuesit të lartë Borrell, Lajçak vjen nga një tjetër vend evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ish-Ministri i Jashtëm sllovak ka shërbyer dhe si Përfaqësues i Veçantë i BE-së për Bosnjë-Hercegovinën, si dhe si i Dërguar personal i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për referendumin për pavarësinë e Malit të Zi.
Mandati i Lajçak nis menjëherë me një mandat fillestar prej 12 muajsh.