Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell në vizitën e tij të parë në Kosovë ka takuar Presidentin Hashim Thaçi, dhe me pas liderët e partive politike, por pa PDK-në e cila e bojkotoi këtë takim.
Josef Borrell, i cili para një viti ishte shef i diplomacisë spanjolle, vend që nuk e ka njohur Kosovën, tha se Bashkimi Evropian nuk po kërkon protagonizëm në dialogun Kosovë-Serbi. Pyetjes se Euronews Albania se pse ai nuk e ka takuar deri tani të dërguarin amerikan për marrëveshjen finale, Richard Grenell, Borrell u përgjigj kështu.
“Ne jemi këtu që ta lehtësojmë marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë dhe të njëjtën gjë po e bënë edhe z. Grenell”, theksoi z. Josep Borrell, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së.
I pyetur për planin amerikan për marrëveshjen finale dhe nëse BE është jashtë këtij procesi, Borrell tha se ndoshta nuk janë shumë të zëshëm, por janë brenda procesit.
“SHBA dhe BE do të punojnë bashkarisht në arritjen qëllimeve të përbashkëta. Që të mos ketë diferenca mes nesh në zgjidhjen e problemeve”,- theksoi shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Por Presidenti z. Hashim Thaci i kujtoi shefit të diplomacisë europiane se Richard Grenell ka arritur dy marrëveshje qe askush nuk ka mundur t’i arrijë në të kaluarën.
“BE duhet të jetë unik në raport me dialogun Kosovë-Serbi dhe që angazhimet e z. Borrell të jenë të mbështetura nga të gjitha shtetet anëtare si çelësi për rifillim të bisedimeve dhe me pas sukses”- theksoi z. Thaçi.
I dërguari i Presidentit të SHBA për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell gjatë vizitës që zhvilloi në Prishtinë dhe Beograd vuri theksin te politika e bashkëpunimit me synim hapjen e kapitujve të ri në Gadishullin e Ballkanit. Ai theksoi se është koha për bashkëpunim mes Kosovës dhe Serbisë, që qytetarët e vendeve respektive të kenë mundësi më të mira punësimi dhe një të ardhme më të mirë.