Qeveria franceze shpalli ditë zie kombëtare të hënën e 30 shtatorit, për të nderuar ish-presidentin e ndjerë, gjithashtu ish-kryeministër dhe ish-kryebashkiak i Parisit, Jacques Chirac, i cili u nda nga jeta të enjten në moshën 86-vjeçare.
Vendimi i shefit të “Elysee”-së, Emmanuel Macron, shënon të tetën ditë zie në historinë e Republikës së pestë të Francës, me kombin francez që ka vajtuar më herët edhe vdekjet e ish-presidentëve Charles de Gaule, Georges Pompidou dhe François Mitterand.
Në Paris, dita kombëtare e zisë është shoqëruar me nderime ushtarake, një ceremoni private në katedralen “Les Invalides” ku u vendos arkëmorti me trupin e pajetë të Chirac gjatë së dielës, dhe një shërbesë funerale në kishën “Saint Sulpice”, teksa gjatë transportit nga katedralja për në kishë u bënë nderime edhe nga populli i thjeshtë francez që kishte mbushur rrugët.
[twitter_feed=https://twitter.com/euronews/status/1178596252788940800]
I pranishëm gjatë nderimeve private dhe ushtarake ishte presidenti francez, Emmanuel Macron, i shoqëruar nga ministrja franceze e Forcave të Armatosura, Florence Parly. Arkëmorti i Chirac u mbulua nga flamuri kombëtar i Francës, ndërsa u dëgjua edhe himni francez “La Marseillaise”. Këtu nuk munguan edhe ish-presidentët francezë, Valéry Giscard d’Estaing, Nicolas Sarkozy dhe François Hollande.
Ndërkohë, kryeministri Edouard Phillippe udhëhiqte shërbesën në kishën “Saint Sulpice”, aty ku të ftuar ishin edhe udhëheqës botërorë dhe personalitete nga fusha të ndryshme, përfshi këtu ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, kreun aktual të Kremlinit, Vladimir Putin, emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, presidentin italian, Sergio Mattarella, sikurse edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Një turmë e madhe njerëzish shoqëruan me duartrokitje momentin e futjes së arkëmortit në kishën e famshme të Parisit, aty ku shërbesa u udhëhoq nga kryepeshkopi i Parisit, Michel Aupetit.
Për herë të parë që prej zjarrit shkatërrimtar të 15 prillit të këtij viti, kambana më e madhe e katedrales “Notre Dame” të Parisit kumboi fuqishëm, në shenjë respekti ndaj ish-presidentit, duke shënuar kështu edhe të parën herë që vihet në lëvizje në mënyrë manuale prej vitit 1945. Në orën 15 u mbajt edhe një moment heshtjeje në Asamblenë Kombëtare të Francës.