Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar amerikanët të përgatiten për “javën më të vështirë” të përhapjes së virusit COVID-19, duke paralajmëruar kështu një rritje të dukshme të numrit të të infektuarve dhe të viktimave.
Deklaratat e tij presidenti i dha gjatë konferencës së përditshme, ku ai siguroi shtetet e goditura më rëndë si New Yorku dhe Kalifornia se do të mundësohen të gjitha mjetet e nevojshme dhe personeli ushtarak për të luftuar virusin.
Pavarësisht parashikimit të tij, se numri i të prekurve do të rritet më shumë, Trump sugjeroi lehtësimin e masave për distancim shoqëror gjatë Pashkëve.
“Ne duhet të hapim përsëri vendin tonë”, u shpreh Trump, duke theksuar se një situatë e tillë nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë. Thirrjet e Trump erdhën në të njëjtën ditë kur vendi konfirmoi më shumë se 300.000 të infektuar, deri tani vendi më i prekur në botë nga COVID-19. Ndërsa numri i viktimave ka arritur në 8500, 3565 prej të cilave në New York.