Një kirurg i dalë në pension, i cili është akuzuar për abuzimin e 349 fëmijëve përgjatë disa dekadash, më së shumti pacientët e tij në dhomat e spitaleve, do të përballet me drejtësinë, me një nga rastet më të rënda të dëgjuara ndonjëherë në Francë.
Gjyqi, që do të filloj të premten në qytetin perëndimor të Saintes, është vetëm fillimi dhe ka të bëjë me katër persona të shënjestruar nga Joel Le Scouarnec, 69, përfshirë dy mbesat e tij.
Që nga fillimi i hetimi, kundër doktorit janë ngritur shumë akuza dhe prokurorët po përgatiten për veprime të mëtejshme pas këtij gjyqi.
Rasti i parë u paraqit tek hetuesit në vitin 2017 kur një vajzë 6-vjeçare, komshie me doktorin, i tha mamasë së saj se Le Scouarnec ishte ekspozuar para të miturës dhe e kishte ngacmuar atë përmes gardhit të shtëpisë.
Më shumë se 300,000 foto të abuzimit ndaj të miturve dhe pornografi
Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, hetuesit zbuluan më shumë se 300,000 foto te abuzimit ndaj të miturve dhe pornografi të tjera – si edhe fletore ku kirurgu kishte dokumentuar në detaje dhunën seksuale ndaj fëmijëve, vajza dhe djem, që prej vitit 1989 deri në vitin 2017. Anash emrit të çdo fëmije kishte komente mbi natyrën e abuzimit seksual, sipas hetuesve.
Le Scouarnec i pranoi hetuesve për veprat e tij ndaj fëmijëve, përfshirë edhe ndaj mbesave te tij. Ai tha se megjithatë i kishte vendosur vetes disa kufij dhe nuk lejonte penetrimin e plotë. Ai gjithashtu prentendon se në ditaret e tij kishte elemente fantazie.
Prokurorja rajonale, Laureline Peyrefitte, tha gjatë një konference për shtyp në dhjetor se numri i ‘’viktimave potenciale të veprimeve të Le Scouarnec’’ kishte arritur në 349 deri në atë periudhë.
I akuzuari përballet me deri në 20 vite burg
229 nga personat e emëruar në fletore u morën në pyetje, dhe deri në këtë muaj, 200 prej tyre kishin ngritur akuza, tha prokurori për ‘The Associated Press’.
Megjithatë shumë incidente janë kryer shumë kohë më parë për tu ndjekur penalisht.
Hetuesit thonë se nën mbulimin e akteve mjekësore, mjeku përfitonte seksualisht nga fëmijët në momentin e parë që ata ishin vetëm në dhomën e tyre në spital.
Ata thonë se strategjia e tij ishte mbulimi i abuzimit seksual si një gjest profesional dhe shënjestrimi i pacientëve të vegjël në mënyrë që ata të mos kujtonin apo kuptonin se çfarë po ndodhte.
Ai gjithashtu shënjestronte fëmijë më të rritur në dhomat e operimit, kur ata ishin në gjumë apo nën efektin e anestezisë, sipas ditareve të doktorit.
Prokurorët thonë se duke patur viktima kaq të vegjël në moshë dhe të pa vetëdijshëm, Le Scouarnec mundej të vepronte pa qenë agresiv apo pa patur nevojë të kërcënonte. Dhe kaq shumë vite më vonë është e pamundur të gjurmohen shenja të spermës apo të ADN-së.
Kritikët pyesin pse nuk ka dalë asgjë në pah më herët. Kirurgu ishte dënuar me burg edhe më parë në vitin 2005 për katër muaj nën akuzën e posedimit të një fotoje që përmbante pornografi të një të mituri.
Gjyqi që do të fillojë të premtën do të merret me komshien e tij, dy mbesat dhe një fëmijë, i cili kishte qenë shtruar në spital në moshën 4-vjeçare në pavionin e Le Scouarnec.
Në rast se dënohet, kirurgu përballet me deri në 20 vite burg.