Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump po rekruton avokatë të profilit të lartë për ta ndihmuar në gjyqin që do të zhvillohet në Senat.
Të fundit që i janë bashkuar grupit të përfaqësuesve ligjore janë Ken Starr, që hapi rrugën për inkriminimin e presidentit demokrat Bill Klinton në vitin 1998, si dhe avokati Alan Dershoviç.
Ekipi mbrojtës i presidentit republikan do të udhëhiqet nga këshilltari i tij në Shtëpinë e Bardhë, Pat Çipolone dhe avokati privat i tij, Xhej Sekulou – bënë të ditur burime nga ekipi ligjor.
Në grup, sipas të njëjtave burime, do të jenë edhe këshilltari Pam Bondi dhe ish-avokati i pavarur Robert Rej. Procesi gjyqësor në Senat filloi zyrtarisht ditën e enjte, edhe pse seriozisht do të nisë të martën e ardhshme me deklaratat e para.
Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët votoi për inkriminimin e Trump për dy akuza që rridhnin nga afera e tij me Ukrainën, abuzim me pushtetin dhe pengim të Kongresit.
Tani, gjyqi në Senatin e kontrolluar nga republikanët do të përcaktojë nëse Trump do të shkarkohet ose jo nga detyra.