Këshilltari suedez për sigurinë kombëtare, Henrik Landerholm, ka dhënë dorëheqjen pasi policia hapi një hetim mbi humbjen e dokumenteve të klasifikuara, të cilat ai i kishte lënë pa dashje në një hotel. Incidenti, i ndodhur në mars 2023, u zbulua nga stafi i pastrimit të hotelit dhe dokumentet u rikuperuan nga një bashkëpunëtor.
Landerholm, i cili kishte shkaktuar debat që në emërimin e tij për shkak të lidhjeve të ngushta me kryeministrin Ulf Kristersson, ka qenë më parë në qendër të disa situatave të sikletshme, duke përfshirë harrimin e një fletoreje gjatë një interviste dhe telefonit të tij në ambasadën hungareze.
Në një deklaratë, Landerholm tha: “Jam informuar për hetimin dhe kam njoftuar kryeministrin. Në këto rrethana, nuk mund të vazhdoj detyrat e mia.”
Kryeministri Kristersson, i cili e kishte mbrojtur këshilltarin ndaj kritikave të opozitës, pranoi se situata ishte bërë e papajtueshme me vazhdimin e detyrës. “Procesi ligjor tani do të vijojë,” deklaroi ai.
Sipas gazetës Dagens Nyheter, incidenti ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e informacioneve të ndjeshme në Suedi.
LEXONI GJITHASHTU:
- Suedia: Plani i BE-së për emigrantët mund të finalizohet në mars
- Suedia njofton investimin e madh në ushtri, blen 44 tanke gjermane Leopard