Parlamenti rus do të të rishikojë emërimin e kreut të Shërbimit të Taksave, një emër jo shumë i njohur, si kryeministri i ri, pas dorëheqjes së befasishme të qeverisë së Dimitri Medvedev.
Duma, dhoma e ulët në parlamentin rus ku Kremlini ka dhe shumicën, pritet që të miratojë emërimin e Mikhail Mishustin.
Emërimi i tij ka ardhur si pasojë e dorëheqjes së befasishme të Dmitri Medvedev më herët gjatë së mërkurës, pas fjalimit të Presidentit Putin në të cilin ai propozoi disa ndryshime kushtetuese, duke përfshirë dhe rritjen e pushtetit të kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit.
Disa ekspertë dhe analistë kanë thënë se është pjesë e lëvizjes së Putin për të dobësuar rolin e presidentit përpara se mandati i tij të përfundojë në 2024-n.
Kremlini ka konfirmuar se kreu i Shërbimit të Taksave, Mikhail Mishustin, është propozuar për postin e kryeministrit të ri të Rusisë.
[twitter_feed=https://twitter.com/KremlinRussia_E/status/1217500883254161408]
Mishustin nuk ka eksperiencë në politikë, por njihet për modernizimin e sistemit të taksimit në Rusi. Analisti Gleb Pavlovsky, i cili ka qenë dhe ish-këshilltar i Putin, tha për agjencinë e lajmeve Interfax se Mishustin është “një burokrat I shkëlqyer, në kuptimin më të mirë të fjalës”.
Presideni rus ka falenderuar Medvedev, të cilit i është ofruar posti i zv.kryetarit të Këshillit të Sigurisë, ndërsa kreun e këtij institucioni e mban vetë presidenti Putin.
Medvedev tha se qeveria e tij do të tërhiqet në mënyrë që t’i hapë rrugën Putin për të ndërmarrë ndryshimet kushtetuese.
Në mesazhin e tij drejtuar qeverisë ruse, Putin kërkoi që të ndryshohej mënyra sesi zgjidhen ministrat – duke sugjeruar se ata të miratohen nga parlamentit i shtetit.
“Rusia duhet të vazhdojë të jetë një republikë e fortë presidenciale, kështu që presidenti duhet të ketë të drejtën të përcaktojë detyrat dhe përparësitë e qeverisë, si dhe të drejtën për të hequr kreun e qeverisë dhe ministrat, në rast se ata nuk e kryejnë siç duhet detyrën e tyre apo për shkak të humbjes së besimit ndaj tyre”, tha Putin gjatë fjalimit të tij.
[twitter_feed=https://twitter.com/KremlinRussia_E/status/1217477230336577537]
Cilat kanë qenë reagimet?
“Ka disa mundësi të ndryshme, por në çdo rast mund të supozojmë se ky është vetëm fillimi i asaj që mund ta quajmë si kalimi i pushtetit në Rusi”, ka thënë për Euronews Yuliy Nisnevich, pedagog i shkencave politike në “Universitetin e Ekonomisë”.
“Ndoshta është dhe tregues i një dorëheqje të parakohshme të presidentit”.
Ndërsa aktivisti politik, Alexei Navalny, një ndër kritikët e Putin ka postuar në rrjetin social Twitter “Të mbesë i vetmi udhëheqës përjetë, marrja në pronësi e një shteti të tërë dhe përvetësimi i pasurisë për veten e tij dhe miqtë e tij, këto janë qëllimet e vetme të Putin dhe regjimit të tij ”