Në një takim të organizuar nga Ministria e Drejtësisë për reformën në drejtësi, ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca u shpreh se kjo reformë është pasaporta e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian, dhe e vetmja mënyrë për të siguruar një të ardhme demokratike për vendin.
“BE e ka mbështetur reformën në drejtësi prej ditës së parë, ka qenë edhe angazhimi ynë më i madh politik dhe financiar gjatë viteve të fundit të shtyrë nga besimi i thellë se kjo është e vetmja mënyrë për të ndërtuar një Shqipëri demokratike, stabël dhe të gatshme për integrimin në BE. Kjo është arsyeja pse ju mbështesim për rivlerësimin, kemi përcaktuar një shifër të paprecedentë prej 34 mln eurosh financim.
Këto vite kanë qenë vite intensive që kanë kërkuar karakter të fortë, por edhe nerva të forta prej çeliku nga të gjithë. Reforma në drejtësi është pasaporta dhe motori që e shtyn Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE”, – tha ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca.
Ndërsa ambasadorja e sapoardhur amerikane, Yuri Kim, u shpreh se zbatimi i reformës në drejtësi është mënyra e vetme për të siguruar një të ardhme të sigurt ekonomike dhe demokratike për shqiptarët.
“Përgjatë 9 ditëve që kam këtu kam takuar pothuajse të gjithë përfaqësuesit kryesorë të politikës në vend. Në të gjitha këto takime jam bërë si një magnetofon i prishur, duke këmbëngulur në rëndësisë e reformës në drejtësi dhe sulmit që do t’i japë korrupsionit.
Të hënën thashë se në momente kritike SHBA ka qenë në krah të Shqipërisë. Dhe përpjekja juaj për zbatimin e reformës në drejtësi është një nga këto momente. Dua t’u them se ne jemi me ju krah për krah”, u shpreh ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim.