English

”Konferenca e Donatorëve do të ketë sukses”, thotë drejtorja e BB për Shqipërinë në Euronews Albania

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Banka Botërore do të jetë një nga donatorët kryesorë në konferencën e 17 shkurtit për të ndihmuar vendin tonë për dëmet e tërmetit. Euronews Albania bisedoi me znj. Maryam Salim, drejtuese e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri dhe ajo u shpreh se kjo konference do të ketë sukses për Shqipërinë për të mbledhur fonde.

- Advertisement -

Ju udhëtoni në Bruksel të hënën për Konferencën e Donatorëve të 17 shkurtit. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Kemi disa pritshmëri. Ne mendojmë se do të jetë një konferencë e suksesshme. Përmes partneritetit me Qeverinë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ne mundëm të hartojmë një raport që krijon baza të mira për diskutime të hënën. Unë mendoj se do të kemi përfaqësim të mirë nga institucione të ndryshme.

Doja të përmendja se kryeministri i Shqipërisë kreu një sërë vizitash në vende të ndryshme për të kërkuar mbështetje dhe ai u prit shumë mirë. Në këtë vazhdë, ai gjithashtu pati mundësi  të takohej me Presidentin e Bankës Botërore Malpass dhe ata patën një diskutim shumë të mirë, ku folën për opsionet se si ne si një Grup Botëror mund ta mbështesim Shqipërinë. Kështu që shpresoj për më të mirën të hënën.

Unë shpresoj që ne të dalim atje me fushat e prioriteteve se si mund të ecim përpara.

Në të vërtetë, mendoj se 18 shkurti, dita pas Konferencës është edhe më e rëndësishme, sepse kjo është dita kur me të vërtetë duhet të fillojmë të punojmë. Jo vetëm partnerët ndërkombëtarë, apo Qeveria, por është e gjithë Shqipëria që duhet të punojë e bashkuar për të ecur përpara për rindërtimin dhe rimëkëmbjen.     

Diçka për Raportin e Vlerësimit të Nevojave pas Katastrofës (PDNA), ju lutem…

PDNA u krijua si metodologji dhe raport së bashku me Bashkimin Evropian, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe u nënshkrua disa vite më parë. Ne kemi punuar në shumë vende për të hartuar një PDNA. Ka qenë vlerësimi i parë që ne fillojmë për rindërtimin dhe procesin e rimëkëmbjes. Në Shqipëri, siç e dini, Milva Ekonomi ishte koordinatorja për të gjithë procesin, nën udhëheqjen e ministrit Çuçi. Dhe kjo ishte shumë e rëndësishme, sepse nëse nuk keni mbështetjen dhe udhëheqjen e Qeverisë, atëherë kjo nuk funksionon. Pastaj, nga ana e partnerëve ndërkombëtarë, secili nga ne ishte përgjegjës për të marrë drejtimin në sektorë të ndryshëm, duke punuar ngushtë me homologët në Qeveri. Nga ana e Bankës Botërore, ne ishim përgjegjës  për vlerësimet e ndikimit makro-ekonomik dhe shoqëror, si dhe në kapitullin e sektorit të strehimit.

Cili është mendimi juaj për ndikimin e tërmetit në ekonominë e Shqipërisë këtë vit dhe në vitin 2021?

Tërmeti i nëntorit ka ndikuar në parashikimet tona. Kështu, Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike 3.2 për qind për vitin 2020. Tani, më lejoni të theksoj gjithashtu se këto janë parashikime dhe vlerësime shumë paraprake. Këto bazohen në dëmet dhe humbjet për sektorët kryesorë. Kështu që, në fund të fundit, këto mund të rishikohen në ngritje, në varësi të faktit nëse Qeveria do të jetë në gjendje të mobilizojë shpejt si grantet dhe kreditë, për të mbështetur përpjekjet e rindërtimit, si dhe se sa shpejt fillojnë përpjekjet e rindërtimit. Kjo është arsyeja pse, siç thashë në përgjigjen e mëparshme, 18 shkurti do të jetë më i rëndësishëm, sepse ne duhet të fillojmë punën.

Pra, parashikimet janë paraprake. Janë thjesht prognoza. Duke supozuar se të gjithë ne bëjmë më të mirën në drejtim të mobilizimit të burimeve dhe të fillojmë përpjekjet për rindërtim, ka shumë të ngjarë që ne të rishikojmë parashikimet e rritjes ekonomike në ngritje.

     

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?