Në një lidhje live nga Washington DC me studion e Ilva Now, Dritan Nesho, Ceo i Kompanisë Harris-x, e cilësoi gjyqin për shkarkimin e Donald Trump një poces politik që nga fillimi, ndërsa shprehu bindjen se nuk ka asnjë shans që presidenti të shkarkohet.
Për z. Nesho grisja e fjalimit të Trump nga Nensi Pelosi nuk ka asnjë vlerë politike, por në një farë mënyrë tregon një moment humbjeje të demokratëve përballë Trump, i cili përjetoi momentin e tij të fitores me ‘state of union’ një ditë përpara seancës për shkarkimin e tij.
Sipas z. Nesho, megjithëse një president atipik, Trump ka pasur arritje reale në politikën e jashtme, siç ishte pakti i tregtisë me Kinën dhe veprimi ndaj Iranit, me goditjet ndaj gjeneralit Soliemani, çka ka bërë që ai të fitojë mbështetjen e 6 nga 10 votues amerikanë.
“Fenomeni Trump është faktor ekonomik dhe kjo po e shtyn aprovimin e Trump drejt një rizgjedhjeje të mundshme për një mandat të dytë. Rivali i vërtetë në garën për president përballë Trump është Joe Biden. Në 80 për qind të rasteve presidenti merr një mandat të dytë në zgjedhjet amerikane, por Biden është shumë kompetitiv dhe nuk dihet kush e fiton”, – tha z.Nesho.