Gazetari i Euronews Albania, Renaldo Salianji, ka arritur të bisedojë me mjekun e urgjencës së Gramshit, i cili ka dhënë ndihmën e para për dy ushtarët e lënduar nga rusët.
Qazim Zani, mjek i spitalit të Gramshit tregoi se simptomat e para që kishin vënë re tek dy ushtarakët e lënduar ishin skuqje të gjoksit, fytyrës dhe syve.
Ai tregoi se gjendja u trajtua si djegie e shkallës së parë, por për të përcaktuar pasojat që mund të kishte lënda e përdorur ndaj 2 ushtarakëve, duhej zbuluar substanca e përdorur ndaj tyre.
“U trajtua si djegie e gradës së parë, iu bë lavazh i syve dhe kanë qenë në parametra të mira jetësore. por ne nuk e dinim çfarë substance ishte përdorur, duhej bërë analiza e gjakut për të përcaktuar efektet që mund të kenë tek 2 të lënduarit. Për këtë arsye i dërguam në repartin e djegie plastikës në Tiranë”, tha mjeku.
Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh.
Në dëshminë e tyre, ata kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.
Euronews Albania ka siguruar video të automjetit luksoz, me të cilët ata shkuan në uzinën ushtarake në Gramsh mbrëmjen e së shtunës.
Automjeti tip “Chevrolet” është filmuar nga banorë të zonës, para se të ndodhte incidenti në uzinë.
Një automjet tepër i kushtueshëm, çmimi fillestar i të cillit shkon në 60 mijë euro. Prej disa ditësh, banorët kishin parë lëvizje të këtyre shtetasve të huaj.
LEXONI GJITHASHTU: