English

Dy gra të vrara në 24 orë, krimi në familje trondit Rrëshenin dhe Durrësin 

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Vetëm disa orë pas vrasjes së dyfishtë në Rrëshen, ku Esmeralda Filopati u ekzekutua së bashku me të vëllain nga ish-bashkëshorti, një tjetër krim në familje i mori jetën një gruaje, kësaj radhe në Durrës. Hajdie Tosuni, 59 vjeçe u godit për vdekje me levë hekuri nga bashkëshorti i saj.

- Advertisement -

Ngjarja e rëndë ndodhi në dyqanin e metrazheve në pronësi të familjes, në lagjen nr. 7 të qytetit bregdetar, ndërsa autori Rruzhdi Tosuni, 63 vjeç u arrestua në flagrancë nga policia. Dyshimet e para janë për një mosmarrëveshje mes çiftit në lidhje me shitjen e dyqanit, ndërsa ata që i njohin shprehen të habitur për ngjarjen.

Ndërkohë, në Rrëshen forcat speciale vijojnë aksionin për kapjen e autorit të vrasjes së dyfishtë, Fatmir Kolecaj. Pasi qëlloi me breshëri për vdekje në pritë mbi ish-bashkëshorten Esmeralda dhe kunatin Vledison Filopati, 47-vjeçari u largua me shpejtësi në një zonë të pyllëzuar.

Për informacione të vlefshme që do të çojnë në kapjen e tij policia ka vënë në dispozicion edhe një shpërblim prej 5 milionë lekësh.

Por ngjarja e së martës mbrëma mesa duket ka qenë një vrasje e paralajmëruar. Sipas një vendimi të Gjykatës në Lezhë, në janar të 2018-s autori është dënuar me vetëm 10 muaj burg për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje duke përfituar edhe uljen e 13 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Sipas prokurorisë, në atë kohë Kolecaj kishte dhunuar bashkëshorten me sende të forta dhe e kishte kërcënuar edhe me vrasje. Më pas çifti u divorcua dhe dyshohet se konfliktet vijuan për kujdestarinë e 3 fëmijëve që kishin nga martesa disavjeçare.

Lexoni gjithashtu: Sociologu Zyhdi Dervishi: Largimi i grave të dhunuara nga bashkëshorti, e vetmja zgjidhje kundër krimit në familje

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?