Kjo rrugë e ngushtë prej 2 kilometrash, e pakalueshme në dimër për shkak të baltës dhe e rrezikshme në verë nga zvarranikët e shumtë, të dërgon tek kështjella e heroit tonë kombëtar, Skënderbeu. Po kaq e keqe është gjendja e 14 kilometrave rrugë që duhen përshkuar për të mbërritur këtu: E ngushtë, e pashtruar dhe pa sinjalistikë rrugore. Për të gjitha këto ka një faturë.
Kjo i paguhet privatit, në hyrje të kepit të Rodonit.
Por edhe pse paguajnë, qytetarët në këtë kohë të vitit nuk e vizitojnë dot kalanë, sepse privati e ka kyçur.
Kjo është një kambanë alarmi, për atë se çfarë ndodh sot në hapësirën prej 14 kilometrash katror, ku gjenden 2 monumentet e kategorisë së parë.
Një kambanë që shteti prej kohësh nuk e dëgjon. Arsyen e shpjegon vetë ministrja e Kulturës.
“Është një pronë private dhe si e tillë duhet t’i përgjigjemi të drejtës private. E harrojmë gjithmonë shtresëzimin e këtyre 30 viteve të fundit, kur privati pati të drejtën të merrte pronën e vet private. Mendojmë që gjithçka duhet të ndodhë vetëm sipas atyre 50 viteve të komunizmit, ku çdo gjë ishte pronë shtet dhe çdokush mund të shkonte të aksesonte çdo gjë. Ekziston edhe prona private dhe si e tillë do respektohet. Brenda saj ka një objekt pasuri kulturore, objekt fetar, interes publik dhe patjetër që është e aksesueshme”, qe shprehur ministrja Elva Margariti.
Në kohën kur monumenti është i paaksesueshëm prej mungesës së infrastrukturës, po paratë ku shkojnë?
Këtë e shpjegon qartë juristi Rezart Kthupi.
“Shteti ka për detyrë të garantojë, qoftë edhe kundrejt pagesës, me kusht që pagesa duhet të shkojë për mirëmbajtjen e këtyre monumenteve, ose për mirëmbajtjen e një administrate, e cila kujdeset për shoqërimin e vëzhguesve, për shpjegimin, për kryerjen e funksionit të ciceronit etj. Në rastin konkret bëhet fjalë për një pagesë, që nuk shkon në dobi të shtetit, por të një personi të tretë, që pavarësisht faktit se është privat nuk ka asnjë detyrim kundrejt monumenteve të kulturës, por përfiton një tarifë për shkak të pronësisë së tokës. Në këtë rast shteti duhet të ndërhynte duke gjetur mekanizmat ligjorë që janë, ekzistojnë”, thotë juristi.
Por cilat janë këto mekanizma ligjorë?
“Ligjërisht shteti ka të drejtën e shpronësimit. Mund të shpronësojë pronarin për pjesën e tokës që është e nevojshme për aksesimin e monumentit, ose në rastin tjetër mund të krijojë një servitum, që është e drejta e përdorimit të truallit të dikujt tjetër në favor të një interesi publik. Ligjërisht mekanizmat janë, vullneti është në varësi të enteve shtetërore”, shprehet Kthupi.
A e kanë entet shtetërore vullnetin?
“Ato janë pasuri kombëtare të aksesueshme, pa biletë, për sa kohë ministria e Kulturës nuk ka vendosur asnjë tarifë për hyrjen në këto pasuri. Këtu mbaron tagri i ministrisë së Kulturës”, wshtw shprehur ministrja Margariti.
Këtu ku mbaron tagri i ministrisë, fillon ai i privatit edhe pse bëhet fjalë për 2 nga monumentet më të rëndësishme të historisë shqiptare.
Derisa ministria ta gjejë një zgjidhje, kisha e Shna Ndout dhe kalaja e Skënderbeut mund të vizitohen sipas humorit të privatit, që e hap dhe mbyll derën kur do vetë, ndërsa prej vitesh vazhdon i pashqetësuar të vjelë paratë e biletave.
LEXONI GJITHASHTU: