Fati i godinës së Teatrit Kombëtar ka qenë një mister për më shumë se dy vjet. Gjithçka nisi me një plan të qeverisë së kryeministrit Rama për të prishur godinën e vjetër dhe ta kthente atë në një godinë bashkëkohore dhe moderne që i përshtatej kohës.
Por jo të gjithë ishin dakord me planin. Disa artistë kërkonin rikonstruksionin e godinës së vjetër dhe shpalljen e saj monument kulture. Disa të tjerë ishin në të njëjtin mendim me kryeministrin Rama.
Fusha.SHPK ishte kompania e cila mori përsipër ndërtimin e Teatrit Kombëtar dhe në këmbim të këtij investimi, ajo do të ndërtonte 6 kulla në truallin që i përkiste teatrit.
Në parlament u kalua një ligj që i jepte të drejtën kësaj kompanie të paraqiste ofertën e cila do të shqyrtohej nga një komision shtetëror. Ligji, i rrëzuar nga Presidenti, u shqyrtua dhe nga Bashkimi Evropian, i cili solli rekomandimin e tij ku pjesa kryesore ishte hapja e garës dhe jo paracaktimi i kompanisë që do ta ndërtonte.
Pas këtij opinioni, qeveria miratoi një ligj tjetër ku hapte garën, por përsëri ligji i ri u rrëzua nga presidenti i cili e dërgoi edhe në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë çështje është përfshirë edhe OSBE, e cila bëri thirrje për transparencë në garë, por edhe Europa Nostra, zëri evropian i shoqërisë civile, e angazhuar në trashëgiminë kulturore, që u shpreh e shqetësuar nga planet alarmante për të prishur Teatrin Kombëtar.
Në një moment u duk sikur qeveria ishte e vendosur tashmë për të prishur ndërtesën. Në korrik të 2019 ajo dërgoi forcat e policisë për ta rrethuar godinën. Ajo ishte dita kur për herë të parë do të shihnim një përleshje mes policisë dhe artistëve. Artistët të cilët vendosën që kauzën e tyre në mbrojtje të teatrit ta çonin deri në fund krijuan Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit. Nga data 8 shkurt e 2018-s, ata protestuan çdo ditë. Pas shumë sfidash dhe pas plot dy vjetësh qëndresë, Bashkia e Tiranës njoftoi tërheqjen nga projekti i ndërtimit të teatrit me PPP, dhe shpreh se do ta ndërtojë me fondet e shtetit. Por edhe pas këtij njoftimi, disa nga artistët nuk janë dakord për vet faktin se ata i qëndrojnë opinionit të tyre se godina nuk duhet shembur, por duhet rikonstruktuar.