Mijëra njerëz po mbahen në bordin e një anije italiane pas dyshimeve se udhëtarët mund të jenë infektuar nga coronavirusi. Dyshimet lindën pasi një prej pasagjerëve që zbriti nga anija, shfaqi simptoma të ngjashme me gripin.
Bëhet fjalë për një çift nga Macao, në bregun perëndimor të Kinës, po mbahet aktualisht në karantinë brenda mjetit lundruese, bën të ditur agjencia e lajmeve ANSA. Gruaja është raportuar se ka simptoma të njëjta me gripin, ndërsa burri nuk ka shfaqur asnjë simptomë, por është izoluar edhe ai si pjesë e shqetësimin shëndetësor.
Atyre u janë bërë teste për virusin, të cilat janë dërguar në një laborator në Romë për t’i analizuar. Anija “Costa Smeralda”, u ankorua në port të enjten në mëngjes dhe ka në bordin e saj rreth 6 mijë pasagjerë. Më parë, ajo ka bërë ndalesa në Marsejë, Barcelonë dhe Palma de Majorka.
Një prej pasagjerëve, ka bërë një postim në Twitter duke thënë se ende nuk kanë detaje nga zyrtarët se çfarë po ndodh. Postimit, i ka bashkëngjitur fotografi që tregojnë pasagjerët duke pritur në korridoret e mjetit të madh lundrues.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku lokal, Ernesto Tedesco thotë se, çdo gjë është “nën kontroll”. “Po ndjekim protokollin dhe po mbajmë vazhdimisht në vëzhgim rastet”, është shprehur Tedesco.
Ndërkohë që në Kinë deri tani janë shënuar 170 viktima dhe mbi 7 700 persona të infektuar, coronavirusi është përhapur dhe në Europë. Pas rasteve të para të konfirmuara në Francë dhe Gjermani, edhe Finlanda ka zbuluar një person të infektuar, duke e çuar në numrin në total në 5. Vendet europiane po punojnë për të evakuuar qytetarët e tyre nga Wuhan-i, që është dhe epiqendra e përhapjes së virusit vdekjeprurës.