Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mbajt seanca e radhës për megaprocesin “Plumbi i Artë”. Gjatë seancës, i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, vazhdoi të dëshmonte dhe të jepte përgjigje për pyetjet e drejtuara nga avokatët e të pandehurve.
Dumani ka përshkruar detaje të reja lidhur me vrasjen e Fatmira Dedës, krim për të cilin akuzon Talo Çelën.
Sipas Dumani vrasja u urdhërua nga vëllezërit Agronin dhe Festim Qoli, pasi Fatmirja Dedja i akuzonte për vrasjen e djalit, Ervis Dedës.
Pjesë nga bisedat në gjyq:
Avokati: A mund të na thoni detaje të planifikimit të vrasjes së Fatmira Dedës?
Dumani: Pasi vendosëm me Talo Çelën për vrasjen e Fatmira Dedës dhe diskutuam si të mos dukej shumë e rëndë. Ajo shkonte shpesh në varreza. Ne e njihnim Fatmirën, ajo vinte aty, pasi kishte humbur djalin. Ajo shkonte gjithashtu dhe i shante këta Qolët.
Avokati: Kur e keni aktivizuar Dorian Shkozën?
Dumani: Ai u aktivizua pasi kam folur me Festim Qolin dhe Talo Çelën. Pasi folëm me Festimin tek palestra në Nish Tulla, fola me Talo Çelën të nesërmen, ose pas dy ditësh. Fola edhe me Qimen. Ky i fundit e kam njohur nga Talo Çela në Elbasan. Ai kishte një makinë që ia dha Dorian Shkozës. Mjeti “Alfa Romeo” u aksidentua kur ai po vëzhgonte lëvizjet e Fatmira Dedës.
Avokati: Pra ishit me Dorian Shkozën dhe Qimen?
Dumani: Me Dorianin kisha folur vetëm unë. Kur nisëm lëvizjet, Doriani më gjeti një makinë. Na duhej për ndjekjen e Fatmira Dedës dhe vrasjen e saj.
Avokati: Si vazhdoi plani?
Dumani: E morëm vesh itinerarin e gjithë ditës së viktimës. E vëzhgonim me segmente kohore. Dinim kohën kur shkonte tek karburanti, kur shkonte tek varrezat dhe kur shkonte tek një spital në Currilat. Shumë herë e kam ndjekur edhe unë vetë. Vëzhgimi fillonte jashtë lagjes. Edhe Talo e ka vëzhguar. Por ndërsa po vëzhgonim, erdhi Festimi nga jashtë shtetit. Na tha “Pse nuk e keni bërë?” Unë tek varrezat nuk e mora përsipër ta bëja, pasi duhet të ecim shumë në këmbë. Aty pastaj vendosëm ta bëjmë vrasjen tek garazhi. Aty hyri në lojë Agroni.
Avokat Ilia: Kur e ndryshuat planin, cili e vendosi?
Dumani: Unë me Festimin.
Avokati: Kishit folur ndonjëherë me Petrit Qolin për këtë?
Dumani: Jo, deri para ndryshimit të planit nuk kam folur as me Gonin as me Petritin.
Avokati: Si ndodhi pastaj?
Dumani: Ne vendosëm ta bëjmë tek garazhi, por të dukej si grabitje. Festimi më tha që do të ndihmonte edhe Agroni. Do të ishte informator. Pasi ne hoqëm dorë nga vrasja tek varrezat, Festimi tha që më mirë të vritej tek garazhi dhe të dukej si grabitje. Unë i thashë që është vështirë, pasi do jemi në qytet.
Dumani: Festimi i bëri vetëm punët e tij me vëllain e vet dhe kushëririn e vet. Pasi u konsultuam, morëm edhe miratimin e njerëzve të tij. Madje na tha që do kishim garanci që nuk do na kapte policia. Këtë nuk e besova, pasi unë isha me makinë pa dokumente dhe me armë me vete. Unë mora masat që të mos na ndalonte policia dhe ashtu ndodhi.
Dumani: Disa ditë më vonë, Festimi më tha që do marrësh një telefon ti dhe Agroni. Nuk do flisni me ta, por vetëm një SMS “erdha, s’erdha”. Talo nuk e kundërshtoi planin.
Avokati: Pse ndryshoi plani i vrasjes?
Dumani: Ishte më thjeshtë për ne se tek pallati ku jetonte viktima, jetonte edhe Agroni. Plani e kam bërë unë dhe Festimi. Idetë për Agronin i dha Festim Qoli. Roli i Agroni Qolit ishte informator.
Dumani: Fatmira Deda i akuzonte dy vëllezërit për vrasjen e djalit. Tek karburanti, kur ishte Fatmira Deda gjallë, aty nuk afrohej njeri pas vrasjes së saj. Karburanti u nda nga dy vëllezërit, Petrit dhe Festim Qoli.
Gjykata refuzon kërkesën e avokatit Ilia për të shfaqur pamjet filmike në sallë të vendit të ngjarjes. Me argumentin se pamjet nuk ishin marrë në formën e kërkuar nga ligji, dhe gjithashtu vendi i ngjarjes mund të kishte ndryshuar, avokati nuk pranoi të përdorte pamjet filmike nga dosja hetimore.
Avokati Ilia: Në çfarë ore të ka ardhur thirrja nga Agron Qoli?
Dumani: Unë kisha shkuar pak më parë se të vinte mesazhi dhe isha pozicionuar pranë pallatit. Mesazhi dhe kodi ishte “erdha”.
Dumani: Agron Qoli, për çfarë i duheshha unë kur ky po e mbante vetë? Ku e dinte ky se ku isha unë?
Dumani: Unë isha me Talo Çelën aty, në vendin e ngjarjes. Ndeza makinën dhe u drejtova për tek garazhi, hyra vetëm me makinë, Talo ka hyrë me këmbë. Garazhi i Fatmira Dedës ishte në hyrje djathtas, i pari ose i parafundit. Kur kam hyrë me makinën, pashë Talon që po e godiste atë të ndjerën. Ajo tentoi të hynte brenda garazhit të saj, por dera ngeli e hapur dhe zonja i ra derës në sup. Talo e tërhoqi dhe e godiste. E ndjera ka ngelur me fytyrë nga shkallët dhe këmbët nga hyrja e garazhit. E gjithë kjo ka zgjatur shumë pak.
LEXONI GJITHASHTU:
- Rrëfehet Nuredin Dumani, dëshmon lidhjet me policinë: Si kaloja me armë në kufi
- Nga Talo Çela te vëllezërit Çopja, Dumani tregon listën me 10 emra që i dha Alibej