Një krim i rëndë në familje është shënuar në Durrës, ku 19-vjeçarja Hygerta Meta ka vrarë dhe groposur në oborrin e shtëpisë të atin Pëllumb Meta, 50-vjeç. E reja ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur prej kohësh.
Në trupin e viktimës janë gjetur 4 plagë me armë zjarri, ndërkohë që pistoleta dhe gëzhojat nuk janë gjetur ende nga grupi hetimor.
Viktima dyshohet të jetë vrarë më 12 shkurt dhe më pas i mbështjellë me batanije është varrosur në një gropë në një kasolle pranë banesës.
Kur policia e riktheu në vendin e krimit për të zbardhur rrethanat e ngjarjes së rëndë 19 vjeçarja nuk u shfaq e penduar për krimin por mësohet të ketë thënë se i ati i torturonte dhe i kishte nxirë jetën asaj dhe të ëmës së saj.
50-vjeçari u deklarua i zhdukur nga familjarët 10 ditë më parë, ndërkohë që makina e tij u gjet e braktisur në Parkun Rinia në Durrës. Hetuesit po punojnë për të gjetur personin që ka bërë transportimin e makinës në atë zonë, ku sipas deklarimeve të vajzës ka qenë vetë ajo që ka ndërmarrë këto veprime.
Por e reja nuk ka patur patent dhe nga kamerat e sigurisë ka rezultuar se automjeti është transportuar nga një djalë.
LEXONI GJITHASHTU:
- 19-vjeçarja në Durrës vrau dhe groposi babain, flasin të afërmit: Jemi të tronditur
- “Nuk pendohem, na ka nxirë jetën” ; Flet 19-vjeçarja që vrau babanë në Durrës