Një ngjarje e rëndë me pasojë një humbje jete ka ndodhur këtë të diel, në fshatin Gjashtë, Sarandë.
Sipas informacioneve të siguruara nga korrespondentja e Euronews Albania, Anxhela Lushkaj dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi Admir Ferik Beqiri, rreth 42 vjeç, ka goditur me sende të forta (shishe qelqi) shtetasin Gezim Bizioni, rreth 65 vjeç, në oborrin e banesës së tij.
Si pasojë e dëmtimeve të marra, shtetasi Gezim Bizioni, ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendngjarje dhe bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar, shtetasin Admir Ferik Beqiri, i cili u shoqërua në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme hetimore. Dyshohet paraprakisht se autori ishte nën ndikimin e alkoolit në momentin e ngjarjes.
Vijon puna e grupit hetimor për përcaktimin e shkakut të konfliktit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.