Nga Kelly Hills, eksperte bioetike
Më 1 shkurt, një burrë në Hong Kong u diagnostikua me COVID-19, coronavirusin më të ri.
Pak ditë më vonë, ai hipi në një anije kryqëzor, që shumë shpejt u bë e famshme në të gjithë botën: Diamond Princess.
Anija u vendos në karantinë, e cila u hoq të mërkurën, ndërsa numri i udhëtarëve të prekur në anije shkoi në 450.
Është e qartë se kriza nuk është nën kontroll. Kjo ngre pyetjen e thjeshtë: a funksionojnë këto karantina?
Kjo pyetje nuk është e re për Amerikën apo për botën. Në vitet 2013-2016, perëndimi i kontinentit afrikan u prek nga përhapja më e shpejtë e virusit ebola.
U përdorën lloje të ndryshme karantinash, në Sierra Leone, Liberi, Guinea dhe vende të tjera.
[
cite_header=Është e qartë se kriza nuk është nën kontroll. Kjo ngre pyetjen e thjeshtë: a funksionojnë këto karantina?
cite_author=Kelly Hills
cite_description=Eksperte bioetike
]
Në SHBA, një infermiere (Kejsi Hikoks) u mbajt në një tendë dhe i thanë të rrinte aty për 21 ditë, me vetëm një telefon dhe një banjë portative brenda.
Arsyeja e vetme ishte se ajo po kthehej nga një mision i “Mjekëve pa Kufij” në Sierra Leone.
Hikoks nuk kishte temperaturë kur nisën analizat, por pasi qëndroi për disa orë brenda një dhome të ngrohtë, asaj iu skuq fytyra dhe skaneri tregoi temperaturë të lartë.
Hikoks e luftoi vendimin për karantinën duke argumentuar se virusi i Ebolas nuk është ngjitës para se të shfaqen simptomat, dhe se nuk do të kishte asnjë problem po të qëndronte e lirë, mes komunitetit, duke e mbajtur veten nën vëzhgim.
Baza e këtij argumenti vjen nga ideja se karantina është një masë detyruese që shkel të drejtat e njerëzve të përfshirë, ndaj duhet të përdoret vetëm kur arsyet të jenë shumë të forta.
Specifikisht, përgjigjja duhet të jetë në përpjesëtim të drejtë me rrezikshmërinë e sëmundjes. Pra, nuk duhet parë thjesht se sa ngjitëse është sëmundja, por se sa e dëmshme.
Duhet vërtetuar që nuk funksionon sistemi që përdoret në Britani, ku pacientët pyeten nga mjekët nëpërmjet telefonit për simptomat. Duhet vërtetuar që procedura e vetë-raportimit të simptomave nuk funksionon.
Publiku duhet të kuptojë se çfarë po ndodh, dhe duhet të bëhet e qartë që karantina është mundësia që i shkel më pak të drejtat e këtyre njerëzve, dhe, më e rëndësishmja, që do të shërbejë vërtet për ta ndaluar përhapjen e sëmundjes.
Anijet e kryqëzorëve nuk janë vendet e duhura për karantina, dhe kjo nuk i habit aspak personat që kanë pak përvojë me sistemin publik të shëndetësisë.
Anijet janë një hapësirë e mbyllur, dhe e dimë nga e shkuara që viruset përhapen vrullshëm në hapësira të mbyllura.
[
cite_header=Karantinat u kushtojnë qeverive shuma të mëdha parash e madje ndihmojnë me përhapjen e sëmundjes.
cite_author=Kelly Hills
cite_description=Eksperte bioetike
]
Kjo është vënë re më shumë me norovirusin, por ka pasur edhe përhapje fruthi, E.Coli, gripi, li dhensh, etj. Një nëndetëse amerikane, një tjetër hapësirë e mbyllur, pati kohët e fundit një përhapje të shytave. Ka arsye se pse specialistët e shëndetit publik i quajnë anijet kryqëzore si “enë laboratorike që lundrojnë”.
Kryqëzorët nuk janë vend i mirë për karantinë edhe sepse karantina, në vetvete, është koncept problematik, që i ka rrënjët në kuptimet e lashta që kemi për përhapjen e sëmundjeve.
Emri vjen nga Venecia e shekullit të 14-të, kur kërkohej që anijet që vinin nga vende me sëmundje, të rrinin të izoluara në port për 40 ditë, duke lejuar kështu zhvillimin e çdo sëmundjeje që mund të ketë qenë në fazën e inkubimit.
Numri 40 bazohej më shumë në arsye fetare, por edhe sepse në atë kohë mendohej se sëmundjet shpërndaheshin nga era e keqe, nga avujt helmues, siç quheshin, dhe se duheshin 40 ditë që të pastrohej ajri.
Po ashtu, edhe ideja e vendosjes së qyteteve të tëra në karantinë nuk është diçka e re.
Historikisht, janë përdorur ato që quheshin “kordonë sanitarë”, mure ndarës ose radhë me ushtarë që mbanin të sëmurët larg ujit të puseve.
Kishin dy zgjedhje: ose të mbyllnin të sëmurët brenda, ose t’i linin jashtë e të mbanin të shëndetshmit brenda. Ose më saktë, synimi ishte që ajri i tyre i ndotur të mos lejohej të përhapej.
Rasti më i famshëm është i “Pestkordonit” austro-hungarez, që u shtri në një gjatësi prej pothuajse 2000 kilometrash, për të mos lejuar hyrjen e murtajës nëpër Europë.
[
cite_header=Mjekët pa Kufij thanë se kishin kuptuar nga përvoja se karantinat nuk ndihmonin për ta ndaluar ebolën¸ pasi i bënin njerëzit të mos tregonin simptomat e të vepronin fshehurazi
cite_author=Kelly Hills
cite_description=Eksperte bioetike
]
Sigurisht, edhe në këtë rast, sëmundja që po përpiqeshin të ndalonin kishte qarkulluar mes banorëve për rreth 15 vite para se të përfundohej muri.
Në vitin 2003, gjatë përhapjes së SARS, Hong Kongu përdori metoda karantine që ishin provuar në vitet 1890.
Një rast i famshëm ishte kur policia shkoi te një kompleks pallatesh, për t’i urdhëruar të mos dilnin nga shtëpitë për 10 ditë. Ata zbuluan se gjysma e 264 apartamenteve ishin bosh.
Njerëzit kishin mësuar nga lajmet për ardhjen e policisë, dhe kishin preferuar të largoheshin, në vend që të mbaheshin mbyllur.
Në Toronto, ku gjithashtu pati përpjekje karantine për të ndaluar SARS-in, 43% e personave që duhej të rrinin mbyllur e shkelën karantinën.
Në vitin 2014, Mjekët pa Kufij thanë se kishin kuptuar nga përvoja se karantinat nuk ndihmonin për ta ndaluar ebolën, pasi i bënin njerëzit të mos tregonin simptomat e të vepronin fshehurazi, duke i shtuar kështu rreziqet, pasi krijohej mosbesim ndaj mjekëve.
Edhe pse karantinat njihen prej rreth 600 viteve, historia na ka mësuar se nuk kanë qenë ndonjëherë shumë të dobishme. Ose për shkak të teorive të gabuara në lidhje me mënyrën se si funksionojnë sëmundjet dhe natyra njerëzore, ose sepse çdo qytet kishte rregulla të ndryshme për karantinën.
[
cite_header=Në Toronto¸ ku gjithashtu pati përpjekje karantine për të ndaluar SARS-in¸ 43% e personave që duhej të rrinin mbyllur e shkelën karantinën.
cite_author=Kelly Hills
cite_description=Eksperte bioetike
]
Është pak a shumë si rasti që pamë me udhëtarët e anijes “Diamond Princess”. Procese të tilla bëjnë që karantinat t’u kushtojnë qeverive shuma të mëdha parash, e madje ndihmojnë me përhapjen e sëmundjes, duke i trembur njerëzit e duke i bërë që të largohen nga rutina, shtëpitë, e madje edhe nga qytetet ku jetojnë. Dhe në rastin e kryqëzorëve, karantina është një laborator ideal për ta përhapur sëmundjen më shumë midis individëve.
Kjo nuk bëhet për të thënë që vendet nuk kanë asnjë mundësi shprese gjatë përhapjes së një virusi.
Autoritetet mund të vënë në zbatim masa të ndryshme për të ulur grumbullimin e njerëzve në mjedise publike, ose duke mbyllur ndërtesa të mëdha me shumë zyra.
Një tjetër masë është që t’u kujtohet njerëzve të lajnë duart më shpesh, dhe më saktë, si dhe të mos prekin fytyrën, sytë, të mos teshtijnë duke futur hundën te bërryli e të mos i japin dorën njëri-tjetrit në takime.
Autoritetet mund t’i nxisin njerëzit e sëmurë të rrinë në shtëpi e t’u monitorojnë simptomat, duke i ndihmuar që të kontaktojnë me mjekë nëse kanë simptoma shqetësuese.
Të gjithë jemi dakord që mjekësia sot është shumë ndryshe nga ajo e shekullit të 14-të, dhe pak njerëz ka në shekullin e 21-të që të duan trajtime të shekullit të 14-të.
Por është detyrimi ynë ndaj kujtdo që pacientë t’i trajtojmë me mënyrat e shekullit të 21-të, sidomos kur të dhënat tregojnë qartë se karantina është një koncept i dalë mode, kur vjen puna për trajtimin e një sëmundjeje, dhe se anijet kryqëzore janë vendi më i papërshtatshëm për t’i organizuar.
Artikulli u botua më parë në NBC THINK