English

Ngadalësohet ekonomia në 2019, mbeten skeptike parashikimet pozitive për 2020

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Viti 2019 hyri me një qeveri të riformatuar pas protestave studentore të dhjetorit 2018 dhe me dy drejtuese të reja në dy superministritë, atë të Ekonomisë dhe Financave me Anila Denajn, dhe të Infrastrukturës dhe Energjisë me Belinda Ballukun. Në parashikimet për rritjen ekonomike, qeveria planifikon të ardhura buxhetore të larta dhe fikson sërisht rritjen në 4% të prodhimit kombëtar, megjithëse Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Boterore paralajmërojnë për ulje të ritmit.

- Advertisement -

Profesor Leontjev Çuçi, i cili është një ekspert ekonomie tha për Euronews Albania se shqiptarët nuk do ta mbajnë mend si një vit të mirë 2019.

“Viti 2019 pati disa specifika, ku në radhë të parë unë do të rendisja atë që u pranua dhe brenda faktorit shqiptar, krizën politike, e cila, pavarësisht se është apo s’është artificiale, ajo është krizë. Dhe si e tillë ajo pati ndikime jo të pavlerësuara, po ndikime negative në procesin e stabilitetit ekonomik,” tha zoti Çuçi.

Ai tha se kjo paqëndrueshmëri politike krijoi mosbesim përsa i përket perspektivës së zhvillimit ekonomik. Shifrat për ekonominë nga INSTAT-i njoftojnë se rritja është përgjysmuar në 2.36% gjatë gjashtë-mujorit të parë të vitit, nga 4.06% që ishte në 2018. Ndër shkaqet kryesore ekspertët kanë përmendur rënien e prodhimit të energjisë elektrike, dhe përfundimi i projekteve të TAP-it dhe dy hidrocentraleve mbi Devoll. Arsye të tjera janë gjithashtu konsumi i dobët, biznesi vendas në pritje prej pasigurisë së krijuar nga kriza politike, dhe kreditimi modest. 

Rritja ekonomike përmirësohet në periudhën korrik-shtator, që varet ekskluzivisht nga sektorin e turizmit dhe shërbimet e ndërlidhura. Profesor Adrian Civici, ekspert ekonomie i tha Euronews Albania që tre-mujori i fundit i vitit do preket nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të 26 nëntorit që krijoi dëme të konsiderueshme monetare dhe humbje njerëzore.

Zoti Civici i vë theksin dobësisë së vazhdueshme strukturore të ekonomisë shqiptare, që vë re faktin rritjet reale potenciale të ekonomisë shqiptare janë të dobëta pa faktorët e turizmit, investimeve të huaja direkte, dhe energjisë elektrike.

civici

“Janë faktorë të jashtëm, që një moment i ke, një moment nuk i ke; qoftë energjia elektrike që varet dhe nga kapriçiot e motit, qoftë edhe ndikimet nga investimet e huaja direkte, që mund të kesh të njëjtën shumë parash, të marra si investime të huaja, por nuk i ke në formën e këtyre projekteve në ndikim direkt në punësim dhe në rritjen ekonomike, në këtë formë siç ishin këto të dyja. Gjë që tregon se jashtë këtyre, potenciali real i rritjes ekonomike në Shqipëri, luhatet midis 2.4; 2.5-2.7%,” tha zoti Civici.

Sezoni turistik ndoqi ritmin premtues të rritjes së viteve të fundit. Mbi 6.1 milionë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë deri në nëntor, duke u rritur me 8,3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Në një atmosferë të vështirësuar për ekonominë dhe shoqërinë tonë, shenja pozitive vijnë nga industria e prodhimit të pjesëve të këmbimit për automjete, e quajtur industria automotive. Më 12 korrik nis ndërtimin n Zhupan të Fierit fabrika e koreanojugorëve të Yura-s, ndërkohë që shtojnë prodhimin dy fabrikat gjermane Forschner dhe PSZ Albania dhe francezja Delmon Group me një fabrikë në Elbasan.

Deri në fund te nëntorit, eksportet në grupin ‘makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi kërcyen me 19% më shumë se viti 2018, në 162 milionë euro. Për të nxitur më tepër prodhimin, qeveria në paketën fiskale 2020 ua ul këtyre kompanive tatim-fitimin nga 15% në 5%. 

Kostot e fryra të investimeve në kontratat koncesionare, sidomos paketa 1 miliardë euro për partneritet publike-private (PPP), ka pasur gjithnjë kritika për risqet. Këto, pavarëisht ndërprerjes së koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar me vlerë 245 milionë euro, ku fondet iu kaluan paktit për universitetin; apo mundësisë së anulimit të kontratës për Milot-Balldrenin me vlere 160 mln euro, edhe pse projekti është miratuar në kuvend.

“Pati, për efekt të politikave ekonomike, por me një ndikim, do ta quaja unë në rritje të koncesioneve publike-private, të cilat pavarësisht thirrjeve të institucioneve ndërkombëtare monitoruese; ato ecën dhe u rritën përgjatë vitit 2019, të cilat, duke iu referuar këtyre institucioneve, kanë rritur edhe borxhin publik; rritja e të cilit ka shkuar në këtë rreth 120 milionë euro vetëm si pagesa interesash që do të përballohen nga ky buxhet,” tha eskperti Çuçi.

Pagesat vjetore për koncesionet pritet të kapin një vlerë prej afro 12 miliardë lekësh, gati 3% të të ardhurave faktike të 2018. Për 2020 këto pagesa ishin parashikuar në 14.6 miliardë lekë në projektbuxhetin fillestar. Pas rishikimit të buxhetit pas tërmetit të 26 nëntorit, disa nga këto pagesa do shtyhen për të krijuar hapësira për fondin e rindërtimit.

Qoftë buxheti fillestar, por edhe ai i rishikuar pas tërmetit nuk rrisin pagat dhe pensionet. Prioriteti i ministisë së financave në draftin fillestar ishte shlyerja e detyrimeve të prapambetura dhe ulja e borxhit publik. Por buxheti final i miratuar në 18 dhjetor fokusohet te rindërtimi i zonave të dëmtuara nga tërmeti.

Krahas fatkeqësisë kombëtare të humbjes së jetëve njerëzore dhe lënies pa strehë të mijëra familjeve në Durrës, Lezhë dhe Tiranë, tërmeti godet zonën që jep 10% e prodhimit kombëtar, duke paralizuar përkohësisht industrinë turistike të Durrësit dhe dëmtuar rënde atë të fasonit.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit deklaroi 40 milionë euro dëme paraprake të biznesit. 20 kompani të mëdha që punësojnë mbi 100 punonjës dhe 900 sipërmarrje të vogla kanë ndërprerë prodhimin dhe shërbimet. Shoqatat e biznesit, si ato prodhuese dhe të industrisë turistike, kanë kërkuar krijimin e grupeve të vlerësimit për dëmet e biznesit dhe për trajtim fiskal lehtësues për sipërmarrjet e dëmtuara.

“Për vitin e ardshëm duhet të bëjmë shumë më tepër se deri tani, qoftë për imazhin e turizmit shqiptar, qoftë për garancië që jep zona më intensive, që është zona e Durrësit, qoftë dhe në diversifikimin e ofertës turistike,” tha eksperti Civici.

Por një faturë zyrtare financiare e dëmeve nga tërmeti nuk ka dalë ende. Ekspertët flasin për një kosto paraprake rreth 650 milionë euro. Ndërkohë buxheti parashikon 20 miliardë lekë për fondin e rindërtëmit, që do të menaxhohet nga një ministri e posaçme. 13 miliardë lekë janë financim i brendshëm ndërsa 7 miliardë janë nga grantet.

Me dyfishin e këtyre fondeve ende për t’u gjetur për rindërtimin, qeveria i ka sytë tek Konferenca e Donatorëve që do të zhvillohet në Tiranë në mesin e muajit janar 2020. Por do të duhej një mrekulli që takimi të nxjerrë 300 milionë eurot që nevojiten. Ndërkohë, me FMN-në mund të diskutohet mundësia e një kredie të butë, si ajo që i dha qeverisë në shkurt të 2014 për të shlyer detyrimet e prapambetura. Qeveria ka si opsion shtesë daljen në tregjet e kapitalit për një borxh në formën e eurobondit të katërt, i parashikuar nga buxheti i 2020 në 505 milionë euro, por për vendet e prekura nga katastrofa natyrore, borxhi është i shtrenjtë.

Ministria e Financave parashikon një skenar optimist me rritjen ekonomike 4.5% për vitin 2020. Por me goditjet që mori biznesi në durrës dhe banesat e shkatërruara në qytetet e prekura, vështirë të realizohet.

Eksperti Çuçi uron që niveli i rritjes ekonomike për vitin e ardshëm të jetë në 3.4%, na varësi se si do mbyllet ky vit që lamë pas. Kjo për arsye se janë krijuar shumë boshllëqe dhe pika të dobëta për ta tejkaluar këtë nivel.

cuci

“Unë do të isha optmist për parashikimin në qoftë se do të mbyllej kriza politike, do të hapeshin negociatat, sepse 2019 pati dhe ngërçin ose vonesën e moshapjes së negociatave me BE-në, të cilat do të krijonin një frymë besimi; do të kisha besim te sistemi i fiskalizimit digjital të cilat do të ndikonin në uljen e evazionit,” tha zoti Çuçi.

Ai tha se pika të dobëta do vijojnë të mbeten varësia e prodhimit të energjisë prej faktorit natyror të shirave, dhe mungesa e investimeve strategjike po në fushën prodhuese. Një pikë tjetër e dobët janë investimet në fushën ekonomike, pasi viti 2019 dhe vite të tjerë të mëparshëm mbyllen me eksporte me pak vlerë të shtuar. Deri në nëntor të këtij viti vlera totale e eksporteve është 2.269 miliardë euro, nga 2.367 miliardë euro që ishte në të njëjtën periudhë në 2018. Vlera totale e importeve deri në nëntor 2019, është 2.858 miliardë euro nga 2.934 miliardë euro në të njëjtën periudhë një vit më parë.

Ndërsa zoti Civici tha se ekonomia e vendit do ketë sfida më të mëdha gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin që lamë pas. Ai tha se do ishte i kënaqur nëse rritja ekonomike për vitin e ardhëm do jetë në nivelet e 3.5-3.6%, pavarësisht optimizmit të qeverisë.

Civici shtoi se nëse “Shengeni Ballkanik” do menaxhohet siç duhet, do të sillte efekte mjaft pozitive për ekonominë e vendit tonë. Kjo sepse do përmirësonte shkëmbimet tregtare dhe do të lehtësonte klimën e biznesit. Zoti Civici tha se ekonomia do të ndikohej dhe nga një axhendë potenciale për hapjen e negociatave me BE-në.

Ai përmendi problemet e vazhdueshme në nivel strukturor të cilat trashëgohen ndër vite, duke filluar  që nga reforma për rritjen e produktivitetit të ekonomisë. Civici përmendi gjithashtu se duhet përmirësuar bilanci i import-eksporteve, duke u përqendruar në stimulimin e eksporteve, dhe reduktimit të importeve. Një reformë e rëndësishme sipas Civicit që duhet të vazhdojë është sistemi i pensioneve dhe ndihmave sociale, sepse buxheti po vuan disekuilibra për shkak të ndryshimeve demografike.

“Sfida më e madhe mbetet punësimi, e cila jo vetëm që shërben në një far mënyre për të frenuar në një farë mënyre këtë eksodin e shqiptarëve, dhe fatkeqësisht një kategorie shqiptarësh gjithnjë e më të shkolluar. Dhe nga një anë është e lidhur edhe me mbijetesën por edhe me mirëqenien e shumë familjeve shqiptare,” tha eksperti Civici.

Do ishte e dobishme nga qeveria ngritja e një fondi besimi (trust fund) për donatorë të mëdhenj si Banka Botërore, ku paratë të mos kalojnë nga buxheti, por të menaxhohen si projekte afatgjatë rimëkëmbjeje dhe zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik për zonat e dëmtuara. Ndërkohë, puna rindërtuese duhet të nise një orë e më parë në Vitin e Ri që po troket.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?