Mëngjesi i ftohtë i 15 janarit të vitit 1999, shënon një nga ditët më të rënda në historinë e luftës së Kosovës, por gjithashtu edhe një pikë kthese për ngjarjet që u zhvilluan më pas.
Fshati Reçak ndodhet në komunën e Shtimjes, në rajonet qendrore të Kosovës. Më 15 janar, forca të armatosura të shtetit serb hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete, i nxorën në kodrat aty pranë dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre.
Ish-drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat, rrëzë një kodre dhe e quajti aktin një masakër të kryer nga forcat serbe.
Në një intervistë ekskluzive për “Euronews Albania”, 21 vjet pas masakrës, Walker kujton momentet e tmerrshme.
“Do më duhet shumë kohë të tregoj me detaje për atë çka pashë. Unë pashë trupa, masakër, trupa djemsh të rinj, që ishin marrë ne mes të natës nga shtëpitë e tyre nga trupat serbe dhe pas pak orësh u vranë, u gjetën të vdekur.”, tha z.Walker.
I shpallur non-grata në Serbi që nga viti 1999, Walker nuk ngurron të akuzojë ashpër dhe politikën aktuale serbe:
“Nuk kam parë progres nga ana e qeverisë serbe. Drejtuesit që flasin sot më duken si Sllopodan Millosheviç, flasin njësoj si ai. E kuptoj situatën e tyre, pasi Vuçiç ishte ministër i propagandës në atë kohë dhe më duket sikur thotë të njëjtën gjë si në atë periudhë. Më duket si e njëjta gjë, nuk shoh progres”, shtoi ish-ambasadori i OBSE-së
Për sa i përket një marrëveshje të mundshme aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, Walker u shpreh pozitiv.
“A mund të ketë një marrëveshje mes dy palëve? Shoh një shpresë në rregullimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por vetëm nëse lihet në dorën e qytetarëve të të dyja vendeve, pasi shoh një frymë pozitive nga të dyja palët, për t’i dhënë fund këtij debati”, shtoi mes tjerash z.William Walker.