E ardhmja e Ballkanit Perëndimor ishte fokusi i diskutimit në studion e Ilva Now, ku secili prej anëtarëve të panelit diskutoi rreth përfitimeve dhe rrisqeve nga Shengeni Ballkanik.
Arben Kashahu: PD e mbështet idenë e bashkëpunimit rajonal, por zbatimi nëpërmjet Shengenit Ballkanik është i dështuar
Arben Kashahu, sekretar i marrëdhënieve me jashtë në Partinë Demokratike tha se në aspektin politik, ideja e bashkëpunimit rajonal është një ide e shkëlqyer dhe e cilëson si një nga shtyllat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Problem për përfaqësuesin e PD-së mbetet zbatimi i kësaj iniciative nëpërmjet projektit Shengeni Ballkanik, që sipas tij është një projekt i gabuar dhe aktualisht i dështuar.
“Disa nga veset e këtij bashkëpunimi është fakti se ky projekt ka nisur gabim në mungesë të plotë të transparencës dhe ka nisur si një projekt jogjithëpërfshirës dhe pa një background teknik profesional që do të mundësonte realizimin e dokumentacionit për t’u firmosur”, tha z. Kashahu.
Pyetjes nëse Shqipëria do të përfitojë politikisht nga kjo iniciativë, z. Kashehu u përgjigj në mënyrë të prerë se jo pasi sipas tij, marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën janë acaruar dhe është krijuar një ambient i ri i toneve të acaruara midis Kosovës dhe Serbisë gjithashtu.
Arjan Starova: Të zbatosh Shengenin Ballkanik duke anashkaluar problematikën e Kosovës, është një bypass politik
Arjan Starova, ish-zëvendës ministër i Mbrojtjes e vlerësoi Shengenin Ballkanik diçka të mirë politikisht, për sa kohë që ajo është shprehja që zëvendëson përpjekjen për bashkëpunim.
Sipas tij, për realizimin e këtij projekti ka shumë pengesa ku kryesoja mbetet përfshirja e Kosovës.
“Kosova është në një ngërç politik për marrëveshjen e fundit që e kërkojnë edhe partnerët ndërkombëtare. Ka një taksë 100% mbi produktet që importohen nga Serbia, problemi i krimeve të luftës, që nuk njihen. Janë deklaratat e herë pas hershme që thonë se Kosova nga Serbia nuk do të njihet asnjëherë” nënvizoi ish-zëvëndes ministri.
“Të përpiqesh të zbatosh një projekt të tillë që quhet Shengeni Ballkanik duke anashkaluar problematikën e Kosovës, më duket si një bypass politik dhe ndoshta ekonomik”, shtoi z. Starova.
Iniciativa për ish- zëvendës ministrin, është akoma në hapat e para dhe sipas tij duhet të shikojmë si do të zhvillohet më pas.
“Ne duhet të shikojmë si do të zhvillohet më pas, por unë shikoj që gjasat që të zbatohet shpejt dhe pengesat nuk do të hiqen nga rruga. Jam pesimist por si ide nuk kam asnjë kundërshtim, nëse do të realizohet” deklaroi z. Starova.
Arben Shkodra: Shengeni Ballkanik është thjesht një përfitim politik dhe asgjë tjetër.
Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i shoqatës së prodhuesve shqiptarë u shpreh pesimist kur u pyet nëse ky bashkëpunim do t’i sjellë përfitime financiare Shqipërisë.
Sipas tij pas çdo marrëveshje duhet të ketë një analizë të përfitimeve, siç ka edhe një analizë të kostove.
Në aspektin e përfitimeve, z. Shkodra beson se vëmendja duhet kthyer tek profili ekonomik i Shqipërisë dhe shton se Shengeni Ballkanik është një gjetje politike.
“Nuk ka asgjë tjetër përveçse një ndryshim të një agjende të paracaktuar prej 6 vitesh që fillon nga procesi i Berlinit, samiti i parë dhe deri në samitin e fundit” tha ai.
Shkodra sjell në vëmendje marrëveshjen e CEFTA-s, ku sipas tij Shqipëria nuk pati përfitime prej saj, por të tjerët po sepse këta të fundit arritën “të bëjnë detyrat” mirë.
“Ne besojmë fort se nuk është se kemi përfitime, kjo është thjesht një përfitim politik dhe asgjë tjetër”, deklaroi z. Shkodra në përfundim të intervistës.