Nëse do e shihnit në një ambient të tillë me shumë mundësi nuk do t’iu shkonte në mend se ajo është ambasadore.
Por Elsa Hastad, ambasadore e Suedisë prej 5 muajsh në Shqipëri, zgjedh të jetë tepër e thjeshtë dhe praktike. Ushqimin shqiptar e shijon shumë dhe si pjatë të preferuar veçon fërgesën.
Jeta e Hastad ka ndryshuar krejtësisht në këtë aventurë të re.
“Çdo gjë ka ndryshuar. Është një jetë komplet e re. Së pari ka ndryshuar sjellja ime nga shumë miqësore me mjedisin në jo dhe aq miqësore ndaj tij. Në Shqipëri përdor çdo ditë makinën, në Suedi nuk kam makinë. Eci ose marr autobusin.
“Nga ana tjetër më pëlqen shumë qëndrimi në Shqipëri, sepse ushqehem shumë më mirë, këtu ka shumë perime”, thotë ambasadorja.
Së bashku me Linën, përfaqësuesen e zyrës së shtypit, diskutojnë rreth axhendës së ditës, por gjejnë kohë edhe për një set fotografik.
Hastad pëlqen të promovojë modën e qëndrueshme suedeze, që ka në qendër veprimtarinë e riciklimit.
“Moda e qëndrueshme lidhet me mjedisin dhe prodhimin në mënyrë miqësore ndaj mjedisit. Lidhet me punën dhe njerëzit që punojnë në industrinë e tekstileve. Gjithashtu lidhet me inovacionin dhe gjetjen e teknikave moderne për të qenë miqësor ndaj natyrës”, pohon Hastad.
“ Po ashtu moda e qëndrueshme lidhet me gratë dhe politikat e jashtme të Suedisë për të promovuar gratë stiliste apo në role drejtuese. Moda e qëndrueshme është gjithçka kemi nevojë të bëjmë për të ardhmen”.
Në momentet e qetësisë dhe relaksit, qëndron në kopshtin e ambasadës së bashku me bashkëshortin e saj, poetin dhe shkrimtarin suedez, Kristoffer Leandoer, për të diskutuar për jetën dhe poezinë.