Një vajzë nga Shkodra ka vendosur të shndërrohet në boksieren e parë shqiptare duke sfiduar jo pak perceptimin mbi këtë sport të dominuar kryesisht nga meshkujt në Shqipëri.
Në realitetin shqiptar, boksi është cilësuar si sport mashkullor por tashmë duket se nje përceptim i tillë ka mbetur vetëm një mit.
Elsidita Selaj ka marrë shumë medalje në sportin e boksit. Vitin e kaluar është shpallur nënkampione europe për të reja duke u bërë e para boksiere shqiptare që fiton medalje në arenën ndërkombëtare.
Ajo thotë se boksin e ka nisur që 15 vjeçe. Që në fillim është përballur me shumë peripeci pasi prindërit nuk e lejuan të merrej me boks.
“Boksin si pasion e kam nisur qe në moshën 15-vjeçare, por nga pengimet e shtëpisë, sepse prindërit sigurisht nuk kishin dëshirë që vajza e tyre të bëhej boksiere pasi mendonin se sporti i boksit është një sport i rëndë, një sport shumë mashkullor”, shprehet Elsidita.
Jeta për Elsiditen është ndryshe nga e shumë bashkëmoshatarëve të saj. Ajo zhvillon 3 seanca stërvitore në ditë. Por kjo nuk përbën problem për të pasi e cilëson këtë sport si një punë me kohë të plotë.
“Nuk është një sport me kohë të pjesshme, është një kohë me punë të plotë. Gjithmonë duhet të jesh në stërvitje. Duke filluar që nga stërvitja e mëngjesit herët, stërvitja e paradites dhe stërvitja e pasdites, ku përpara garave dal me tre seanca”, shpjegon më tej ajo.
Synimi më i afërt i Elsiditës është Olimpiada “Tokio 2020” të cilin e cilëson si ëndërr të çdo sportisti.
Një pjesë e madhe e meritës së këtij suksesi padyshim i takon dhe trajnerit të Elsiditës , disa herë kampionit të Shqipërisë në boks Jetmir Kuqi.
Trajneri Kuqi thotë se stërvitja po shkon mirë dhe objektiv mbetet që Elsidita të jetë një nga 5 boksieret europiane që do jenë pjesë e ringut në olimpiadë.
“Ideja është që ne të kualifikohemi në kampionatin Europian. Janë pesë vajza që shkojnë nga europa dhe duam që Elda të jetë një prej atyre”, thotë trajneri Kuqi.
Elsidita ka një përgjigjë frymëzuese për të gjithë skeptikët e këtij sporti në Shqipëri. Ajo thotë se sporti i boksit nuk duhet të kornizohet vetëm si sport mashkullor.
“Mendoj se e kam thyer tabun që sporti i boksit duhet të kornizohet vetëm si sport mashkullor sepse sporti i boksit nuk ka nevojë të kornizohet, nuk ka nevojë për femër as për mashkull thjesht ka nevojë për një individ, i cili ka synim që qëllimet që i ka vendosur vetes t’i arrijë përgjithmonë” thotë 19-vjeçarja.