Erërat e forta dhe moti i keq ka përfshirë gjithë vendin. Në vendet malore, reshjet e dëborës kanë bërë të detyrueshëm lëvizjen me zinxhirë të mjeteve, ndërsa në bregdet, janë pezulluar të gjitha lundrimet në portet e Durrësit dhe Vlorës, për shkak të dallgëve mbi 7 ballë.
Përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore ka pasur stuhi ere e cila arriti shpejtësinë deri ne 25-30 metra në sekondë. Erërat e forta kanë dëmtuar dhe Tiranën, ku ka pasur rrëzime pemësh, por fatmirësisht pa dëme në njerëz.
Sipas specialistit pranë shërbimit metereologjik ushtarak, Elvi Jahaj, era e fortë dhe temperaturat e ulëta do të vazhdojnë dhe gjatë 24 orëve në vijim.
Temperaturat mesatare variuan nga -7 gradë Celsius gjatë natës në 6 gradë Celsius në mesditë në disa zona të vendit.
Drejtori i rrugëve në Korçë Olti Dhamo tha për Euronews Albania se aksi Boboshticë – Dardhë, Korçë – Voskopojë dhe pjesa e Qarrit kalohet vetëm me zinxhirë.
Në terren janë angazhuar 17 borëpastruese, të cilat po kujdesen për hedhjen e kripës në akset nacionale.
Erërat e forta kanë shkaktuar dëme dhe në Tiranë, ku janë rrëzuar disa pemë, njëra prej të cilave brenda në Presidencë.
Era e pazakontë ka rrëzuar dhe pemën e Vitit të Ri të vendosur në Sheshin “Skënderbej”.
Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar, por dëmet materiale kanë qenë të konsiderueshme.
LEXONI GJITHASHTU: Shërbimi Meteorologjik Ushtarak: E marta dita më e ftohtë, era e fortë vijon edhe nesër
Probleme nga bora në Korçë, në Dardhë dhe Voskopojë qarkullohet me zinxhirë