“Nuk ka asnjë ndryshim mes imazheve në kufirin grek dhe asaj çfarë nazistët kanë bërë dikur. Të gjitha ato që kanë bërë nazistët në kampet e përqendrimit, të njëjtën gjë po bëjnë grekët në emër të perëndimit, me pagesë nga shteti i tyre”.
Kështu deklaroi presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan dhe njoftoi Perëndimin se ai nuk do t’i mbyllë kufijtë deri sa Evropa të mbajë premtimet e 2016. I menjëhershme ka qenë edhe reagimi i palës greke të cilët e quajnë këtë një marrëzi.
“Ai thjesht po mundohet të shkaktojë tension me komente të tilla. Përgjigja më e mirë për paralelizma të tilla është përgjigja e këshillit qendror izraelit, i cili thekson se kjo situatë nuk ka të bëjë aspak me Holokaustin dhe krahasime të tilla duhen shmangur, pavarësisht situatës me të cilën përballemi”, – tha zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas.
Petsa, siguroi qytetarët grekë se ata do të bënin të pamundurën për t’iu dhënë qetësinë e nevojshme qytetarëve dhe nuk do të lejonin në asnjë moment thyerjen e ligjit ndërkombëtar.
Gjatë ditës së mërkurë Greqia thirri edhe ambasadorin e Turqisë për ta pyetur në lidhje me incidentin mes dy anije detare greke dhe turke. Greqia akuzon anijen turke për sulm të qëllimshëm, edhe pse Ankaraja nuk ka dhënë një reagim zyrtar ende.
BE kërkon me çdo kusht të shmangë krizën e emigrantëve të ngjashme me atë të 2015-‘16, kur më shumë se 1 milion njerëz arritën në bllokun perëndimor përmes Turqisë dhe Greqisë, duke forcuar mbështetjen për partitë e ekstremit të djathtë. Tanimë Evropa shpreson për një shans të dytë nga Erdogan, i cili ende nuk pranon të tërhiqet mbrapsht.