Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha këtë të mërkurë në një deklaratë për shtyp se autoritetet greke nuk i dallonte asgjë nga nazistët.
Erdogani iu referua veprimeve të forcave kufitare greke, të cilat larguan me forcë me mijëra emigrantë që përpiqeshin të futeshin në Greqi.
Emigrantët nisën marshimin disa ditë më parë, kur Ankaraja deklaroi se nuk do të bënte më asgjë për t’ua ndaluar rrugëtimin për në BE, ku ata duan të kërkojnë azil.
Kjo bëri që Agjencia Europiane e Kufirit dhe Vijës Bregdetare të dërgojë trupa shtesë në kufi, për të përforcuar autoritetet greke.
Vendimi i Ankarasë erdhi pasi forcat siriane të Asadit vranë 33 ushtarë turq gjatë një sulmi. Turqia ashpërsoi përgjigjen dhe kjo shkaktoi një valë të re refugjatësh drejt Turqisë.
Turqia kishte rreth 3.6 milionë refugjatë në kampe, të cilët i mbante falë një marrëveshjeje me BE-në, e cila ofroi miliarda euro në fonde dhe si këmbim Turqia nuk duhej t’i lejonte të futeshin në kufijtë e tyre.
Por pas valës së re, Ankaraja tha se nuk i përballonte dot dhe se duheshin rinegociuar kushtet, ndërkohë që shumë udhëheqës europianë e akuzuan Turqinë se po përdorte refugjatët për shantazhe politike.
Teksa ngërçi midis vendeve vazhdon, me mijëra refugjatë janë mbledhur në kufi duke krijuar kështu një krizë të re, teksa autoritetet greke i godasin me gaz lotësjellës për t’i mbajtur nën kontroll.
Në një reportazh ekskluziv për Euronews International, gazetarja Anelise Borges ka udhëtuar në anën turke të kufirit ku ka biseduar me disa nga refugjatët. Reportazhin e saj mund ta ndiqni duke klikuar lidhjen më poshtë.
Civilët po paguajnë për lojërat politike në kufijtë e BE-së.