I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve të vazhdojë “në mënyrë dinamike dhe konstruktive”.
“Kjo është e rëndësishme si për qytetarët, ashtu edhe për paqen, stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm në rajon”, tha Escobar.
Ai i bëri komentet në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, njoftoi Presidenca serbe.
Vuçiç, në anën tjetër, tha se ka mbajtur “bisedime të rëndësishme” me diplomatin e lartë amerikan.
Në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiç tha se është biseduar “për të gjitha zhvillimet aktuale” dhe për çështjet e hapura” në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.
Ai tha se ka këmbëngulur në “zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, si dhe të së drejtës ndërkombëtare.
“Serbia, si vend serioz, i besueshëm dhe i përgjegjshëm vazhdon të luftojë për ruajtjen e popullit dhe vendit të tij, duke bërë përpjekje maksimale për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për përparimin e gjithë rajonit”, tha Vuçiç.
LEXONI GJITHASHTU:
- ‘Çështjet e hapura të dialogut Prishtinë-Beograd’, Vuçiç takon Escobar
- Escobar kërkon shtyrjen e marrëveshjes për targat: Presim përgjigjen e Kosovës