➤ Ora 15:57 – Mbërrijnë qytetarët e parë nga rrethet
Shumë qytetarë nga qytete të ndryshme pritet të vijnë në Tiranë për të marrë pjesë në manifestimin e Presidentit Meta. Mësohet se shumë qytetarë janë nisur nga qytetet, si Elbasani, Korça, Durrësi, Fieri dhe Shkodra. Ndërkohë që vetëm nga Gjirokastra pritet të nisen rreth 1500 persona, shumica e të cilëve me mjete personale.
➤ Ora 15:00 – Mimoza në njërën dorë, Kushtetutën në tjetrën, Meta mesazh shqiptarëve 2 orë para tubimit
Presidenti Ilir Meta ka shpërndarë një videomesazh për qytetarët në faqen e vet zyrtare në Facebook, dy orë para tubimit që do zhvillohet në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Me lule mimoza në njërën dorë dh Kushtetutën në tjetrën kreu i shtetit thotë se kjo e fundit po pret popullin.
“Të dashur motra e vëllezër, Kushtetuta e popullit, po pret popullin e Kushtetutës. Edhe pa momente na ndajnë nga nisja e pranverës kuqezi. Mirë se vini të gjithë”, shprehet Meta.
Euronews Albania, edicion special për manifestimin e 2 marsit
Manifestimi i thirrur nga Presidenti, Ilir Meta, do të përcillet në një edicion special në Euronews Albania, që do të nisë në orën 16.00. Një orë para manifestimit, dhe deri në fund të tij do të jetë një transmetim special, për të përcjellë gjithçka që ndodh, fjalimet që do të mbahen, masat që janë marrë dhe vendimin që pritet të marrë kreu i shteti.
Në këtë edicion special për tubimin e 2 marsit, Euronews Albania do të zhvillojë lidhje të drejtpërdrejta me gazetarët, të cilët do përcjellin për shikuesit në kohë reale zhvillimet e detajuara që vijnë nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Tubimi i sotëm është një ngjarje e pazakontë për Shqipërinë, pasi për herë të parë Presidenti i Republikës së Shqipërisë fton qytetarët në mbrojtje të Kushtetutës dhe të çmontimit të atij që Meta e quan si “grusht shteti”. Kur kanë mbetur pak orë nga tubimi, Kreu i Shtetit, Ilir Meta iu është drejtuar sot me një mesazh qytetarëve shqiptarë si edhe strukturave shtetërore. Me një shënim në rrjetin social “Facebook”, Presidenti i Republikës thotë se ka ardhur koha që zëri i shqiptarëve të dëgjohet.
“Sot në përkujtim të ngjarjes historike të Besëlidhjes së Lezhës, unifikimit kombëtar përballë rrezikut të asimilimit e shkombëtarizimit, mesazhi që na sjell nga historia, uroj të na ndihmojë ne të gjithëve për reflektuar, për t’u ngritur dhe bashkuar sa nuk është vonë, në një Besëlidhje të re, po aq të fortë e gjithëpërfshirëse, përballë një rreziku të ri pushtimi nga një sekt mafioz, pa fe, pa familje, pa atdhe, që ka marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari!Zëri i popullit është zëri i Zotit! Erdhi koha të dëgjohet sa më fort! Mirësevjen BESËLIDHJA E RE me Pranverën Kuqezi! ??”, shkruan mes tjerash Meta.
Manifestimi i thirrur nga presidenti është komentuar dhe nga kryeministri i vendit. Gjatë kongresit të Partisë Socialiste, i cili u mbajt për tri ditë radhazi (e premte-e diel), shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama, tha se Meta është kundër reformës në drejtësi.
Shënim: Zhvillimet e manifestimit të 2 marsit do të përditësohen orë pas ore në kohë reale, me informacione thelbësore nga gazetarët në terren. Në këtë transmetim special, nuk do mungojnë komentet profesionale dhe analizat e detajuara nga studiot e Euronews Albania