Pavarësisht masave të shtuara dhe rritjes së numrit të personelit mjekësor, në Portin e Durrësit jo të gjithë personat që hyjnë në vendin tonë nga Italia, u nënshtrohen kontrolleve mjekësore. Gazetarët e Euronews Albania kanë parë nga afër masat dhe kontrollet që iu bëhen kalimtarëve në pikat kufitare. Nga vëzhgimi u konstatua se jo të gjithë kalojnë në filtrat e kontrollit, dhe kjo gjë pohohet nga vetë udhëtarët.
“Jo nuk patëm, as në Bari as këtu”-tha një udhëtar.
“Jo, absolutisht në asnjë vend”, theksoi një tjetër.
Por edhe atyre personave që u është bërë kontroll, matja e temperaturës ka qenë i vetmi ekzaminim.
“Kontrolle në hyrje të tragetit, funksiononte. Në Bari dhe këtu”-theksoi një tjetër udhëtar.
“Na bënë një kontroll, nuk patëm pyetje”, pohoi një tjetër.
Për përgjegjësen e Sektorit në Autoritetin portual të Durrësit, është e vështirë të kontrollohen të gjithë personat që hyjnë në vendin tonë, por ekzaminimeve ju nënshtrohen vetëm ata persona që kanë simptoma.
“Janë 500-600 persona që hyjnë çdo ditë dhe është e pamundur që të bësh edhe vizitë të mirëfilltë shëndetësore. Janë kontrolle apo pyetësorë, sipas orientimeve dhe direktivave të OBSH apo ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kalojnë përmes këtij filtri të pyetësorëve, matjes së temperaturës, e thënë kjo jo në të gjithë personat që hyjnë në portin e Durrësit. Por, ata që kanë një lloj rrezikshmërie apo që paraqesin një lloj problematike shëndetësore”-tha ajo.
Në të gjitha pikat kufitare, gjatë fundjavës janë shtuar masat pasi u shënuan rastet e para të viktimave nga coronavirusi në Itali. Procesi i kontrolleve po ashtu vijon në Aeroportin e Rinasit, në pikat kufitare në Shkodër dhe Korçë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu konfirmoi se deri tani nuk ka asnjë person të infektuar apo të prekur nga coronavirus covid-19.