Në 84 liqenet karstike të Belshit janë evidentuar 18 lloje të shpendëve dimërues ujorë. Aty dominojnë karabullakët, rosat e ndryshme, çafkat, kredharakët dhe pulëbardhat. Këtë e thekson vetë Drejtori i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Elbasan, Fatmir Brazhda. Përgjatë këtij muaji, në të gjitha liqenet karstike të zonës së Dumresë ka nisur numërimi i shpendëve në bashkëpunim me ekspertë ornitologë.
“Në Elbasan janë 18 lloje të evidentuara deri tani nga grupi jonë dhe këto lloje janë gjetur edhe vitin e shkuar. Pra nuk kemi ndonjë ndryshim në aspektin e pakësimit të llojit apo shtimit të tij. Kemi vetëm pakësim të numrit i cili vjen për shkak të ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike. Kemi rosat e ndryshme, çafkat, kredharakun, pulëbardhat e ndryshme”, tha Drejtori i ADZM në Elbasan.
Vitet e fundit në Belsh ka një hov të jashtëzakonshëm turistik, dhe sipas sipërmarrsve turistët që vizitojnë zonën e Belshit, tregojnë interes të madh për shpendët ujorë.
“Mesa duket ktu çdo ditë shtohen dhe është kthyer në një atraksion turistik për turistët. Me ardhjen dhe pozicionimin, gjëja e parë që bëjnë është të afrohen dhe të dalin pranë liqenit dhe gjëja që i tërheq janë shpendët, dhe marrim edhe përgëzime që këto shpendë ne i ruajmë dhe nuk i gjurmojmë për ti vrarë”, tha Apostol Paja, operator turistik.
Në të gjithë Shqipërinë sipas censusit të shpendëve ujorë rezultuan mbi 13 mijë specie më shumë që dimërojnë. Përpos pakësimit, numri i shpendëve ujorë dhe specieve të reja në vendin tonë dhe në veçanti në Liqenet Karstike të Belshit është një tregues i mirë i ruajtjes dhe zhvillimit të habitatit natyror.
LEXONI GJITHASHTU:
- Bie numri i shpendëve në Prespë, por shtohet lloji i tyre, shkak ngrohja globale
- Dhjetëra shpendë të ngordhur në Plazhin e Vjetër, dyshohet për gripin e shpendëve