Përmbytjet në Europë kanë shkaktuar me shumë se 160 viktima dhe qindra të plagosur.
Gjermania ka numrin më të madh të viktimave, të paktën 141 njerëz kanë humbur jetën.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, udhëtoi për në Erftstadt, në zonën e Nordrhein-Westfalen, ku tha se shumë njerëz kanë humbur gjithçka, pasuritë e tyre, shtëpitë e tyre.
Ndërsa, Qendra kombëtare e krizave në Belgjikë tha se numri i vdekjeve i konfirmuar në vend ka shkuar në 27.
Përtej kufirit në Belgjikën lindore, linjat e trenave dhe rrugët mbetën të bllokuara në shumë zona.
Kryeministri belg, Aleksander De Croo dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vizituan të shtunën në mëngjes rajonet më të prekura të vendit.
“Zemra ime u rrënua kur takova njerëz që humbën shtëpitë e tyre dhe kursimet e një jete. Unë u thashë atyre: Evropa është me ju. Ne ndajmë pikëllimin tuaj. Ne do t’ju ndihmojmë të rindërtoni”, shkroi von der Leyen në Twitter.
Po kështu, edhe pjesët jugore të Holandës janë goditur nga përmbytje të mëdha.
Kryeministri Mark Rutte, i cili vizitoi rajonin të premten, tha se “së pari, ishte korona, tani këto përmbytje, dhe së shpejti njerëzit do të duhet të punojnë për pastrimin dhe rimëkëmbjen”.
Qeveria e tij ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke dhënë fonde për të prekurit.
Franca dhe Zvicra gjithashtu janë goditur nga përmbytjet.
LEXONI GJITHASHTU: